Polonia dhe Ukraina zotohen për forcimin e aleancës kundër Rusisë

  • Margaret Besheer

Ukrainian President Volodymyr Zelenskiy meets with Polish Prime Minister Donald Tusk, amid Russia's attack on Ukraine, in Kyiv, Ukraine Jan. 22, 2024.

Udhëheqësi polak dhe ai ukrainas u zotuan të hënën të forconin aleancën e tyre kundër agresionit rus në Ukrainë, duke lënë mënjanë dallimet rreth bllokadës polake të hyrjes së kamionëve ukrainas në Bashkimin Evropian.

Në vizitën e tij të parë në Kiev që kur u zgjodh kryeministër i Polonisë, Donald Tusk e cilësoi luftën mbrojtëse të Ukrainës kundër agresionit rus një "betejë" midis "të mirës dhe së keqes", duke shtuar, "Polonia do të bëjë gjithçka për të rritur shanset e Ukrainës për fitore në këtë luftë”.

"Siguria e kombit polak dhe shtetit polak është gjithashtu në rrezik nga kjo luftë", tha Kryeministri Tusk në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski.

Marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan muajt e fundit për shkak të bllokadave polake ndaj kamionëve ukrainas në kufirin mes dy vendeve.

Bllokada e shoferëve polakë të kamionëve, e cila filloi në nëntor, u pezullua javën e kaluar. Ata protestuan kundër hyrjes pa leje të kamionëve ukrainas në BE.

BE-ja hoqi dorë nga sistemi i lejeve për kamionët ukrainas pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në shkurt 2022, por shoferët polakë të kamionëve duan që ai të rikthehet, duke thënë se të ardhurat e tyre janë goditur nga vendimi i BE-së. Shoferët polakë të kamionëve ranë dakord javën e kaluar të pezullonin protestën deri më 1 mars.

Donald Tusk u rikthye në politikën polake muajin e kaluar pasi shërbeu në postin e Presidentit të Këshillit Evropian.

Kryeministri Tusk dhe Presidenti Zelenski përshëndetën planet për prodhimin e përbashkët të armëve. Zoti Zelenski tha në një postim në rrjetin social X se ata kishin diskutuar një formë të re bashkëpunimi, që synon blerjet e armëve në shkallë më të gjerë për Ukrainën. Ai nuk dha detaje të tjera për këtë.

Udhëtimi i befasishëm i Kryeministrit Tusk në Kiev përkoi me Ditën e Bashkimit të Ukrainës, që shënon bashkimin e Ukrainës perëndimore me atë lindore në 1919. Ukraina është përballur me pushtime të shumta gjatë historisë së saj të gjatë.

Lexoni edhe këtë Ukraina rrëzon 8 dronë rusë, Moska akuzon Kievin për sulm ndaj civilëve


Presidenti Zelenski e shënoi ditën duke nënshkruar një dekret që u ofron shtetësi të dyfishtë ukrainasve që jetojnë jashtë vendit dhe pasardhësve të tyre nga e gjithë bota, përveç atyre në Rusi, si dhe luftëtarëve të huaj që luftojnë përkrah ushtarëve ukrainas për të mbrojtur Ukrainën nga agresioni rus.

Lavrov në OKB

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov mori pjesë të hënën në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën në Nju Jork.

Sergei Lavrov

Në takimin, e kërkuar nga Rusia, zoti Lavrov u përqëndrua në mbështetjen me armë të Shteteve të Bashkuara dhe Evropës për Ukrainën, duke thënë se kjo ndihmë ushtarake po zvarriste konfliktin. Ai nuk foli për akuzat e perëndimit se Moska po blenë dronë dhe raketa nga Irani dhe Koreja e Veriut.

“Është cinizëm i shkallës më të lartë të pretendosh se mbështetja legjitime dhe e ligjshme për vetëmbrojtjen e Ukrainës po zgjat agresionin e nisur nga Rusia”, tha diplomati amerikan në OKB, Robert Wood.

Më shumë se 40 ambasadorë iu bashkuan ambasadorit të Ukrainës në OKB në leximin e një deklarate publike përpara takimit. Deklarata dënon agresionin e Rusisë dhe blerjen nga Moska të armëve nga Irani dhe Koreja e Veriut, që përbën shkelje të disa rezolutave të OKB-së.

“Veprimet e Federatës Ruse minojnë besueshmërinë e rezolutave të Këshillit të Sigurimit, ligjet globale kundër përhapjes së armëve, rrisin tensionet rajonale dhe rrezikojnë të gjithë”, lexoi në emër të grupit ambasadori ukrainas në OKB, Sergiy Kyslytsya.

I pyetur nga një gazetar nëse Ukraina mund ta fitojë luftën, ambasadori Kyslytsya tha: “Ukraina do ta fitojë këtë luftë. Por jo vetëm Ukraina, por gjithë bota demokratike.”

Më 22 shkurt mbushen dy vjet nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë.

Një pjesë e të dhënave të përfshira në këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe Agennce France-Presse.