Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit: "Klima politike e polarizuar ashpër. Të dialogohet mbi zgjedhjet dhe transparencën"

Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri (SAPC) i bëri sot thirrje Kuvendit shqiptar që të rritë mbikëqyrjen parlamentare përmes komisioneve hetimore dhe mjeteve të tjera për të forcuar llogaridhënien e institucioneve në vend.

Ky komitet zhvilloi sot në Parlamentin Europian takimin e 17-të mbi statusin e negociatave për anëtarësim dhe marrëdhëniet BE-Shqipëri, prej nga adresoi një seri rekomandimesh ndaj Këshillit të Stabilizim Asociimit dhe institucioneve të Shqipërisë dhe BE-së.

Në këto rekomandime, Komiteti bëri thirrje që Kuvendi të përpiqet më fort për të nxitur angazhimin e opozitës. Komiteti theksoi “nevojën për komisione hetimore”, ndërsa nënvizoi se “ligji i ri për komisionet hetimore parlamentare u miratua pa mirëkuptim, ndaj nxit “përdorimin e mjeteve të ndryshme mbikëqyrëse si komisionet hetimore, interpelancat dhe mocionet me debat për të forcuar llogaridhënien dhe qeverisjen demokratike në Shqipëri”.

Nga Brukseli Komiteti bëri thirrje për zbatimin në kohë të reformave, teksa vlerësoi Shqipërinë për përfundimin me sukses të procesit të shqyrtimit, si dhe angazhimin strategjik të saj për anëtarësimin në BE, si një aspiratë që gëzon mbështetjen e shumicës dërrmese të qytetarëve shqiptarë si dhe mirëkuptim të qëndrueshëm midis partive politike.

“Komiteti shpreh keqardhje për klimën politike të polarizuar ashpër, si dhe për faktin që, pavarësisht krijimit të komitetit ad hoc për reformën zgjedhore në shkurt 2022, nuk u bë asnjë përparim në miratimin e ndonjë teksti dhe në adresimin e rekomandimeve të pazgjidhura të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias”, thuhet në rekomandimet e miratuara sot.

Ai kërkoi përfshirjen e “gjithë zërave nga opozita në procesin e reformës zgjedhore për të siguruar një qasje të vërtetë përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse”. Komiteti “bën thirrje për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët në adresimin e plotë të kësaj çështjeje përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, për të mundësuar një proces të qetë zgjedhor”.

Në rekomandimet e sotme kërkohen “përpjekje të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë prodhimin dhe trafikimin e drogës”, si dhe vlerësohen reforma në drejtësi, bashkë rezultatet e deritanishme të SPAK-ut ndaj kulturës së mosndëshkimit, ku pritet përparim në çështjet hetimore të nivelit të lartë.

“Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare në nivel të lartë mbetet përparësi e rëndësishme përballë kulturës së mosndëshkimit”, thuhet në dokumentin e rekomandimeve.

Komiteti nxit Shqipërinë të ulë numrin e çështjeve gjyqësore të prapambetura dhe të përmirësojë efektivitetin e e gjykatave të saj, duke shmangur ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë.

“Shprehim shqetësimin se korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit”, thuhet në rekomandimet e sotme, duke vlerësuar se masat parandaluese janë të pamjaftueshme.

Në këto rekomandime Komiteti shpreh shqetësimin për situatën e lirive të medias dhe lirisë së shprehjes, duke përfshirë përqendrimin e tregut dhe audiencës dhe mungesën e transparencës së financimit të medias;

“Mediat dixhitale në veçanti vazhdojnë të ndikohen fuqishëm në financime dhe përmbajtje nga aktorët politikë, bizneset dhe palë të treta.

Komiteti thekson se çdo rishikim i ligjeve të medias duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe duhet të bëhet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, në konsultim me organizatat e medias, me synimin për të përmirësuar lirinë e medias dhe vetërregullimin.

Komiteti kërkoi të mbrohen gazetarët nga pengesat ligjore dhe institucionale dhe të garantohet një mjedis i sigurt për ta, si pjesë e punës për për forcimin e demokracisë në Shqipëri.