Tensione në rritje në Lindje të Mesme pas sulmeve në Siri dhe Irak

  • VOA

Pamje nga Rafah e tymit mbi Khan Yunis në Rripin e Gazës gjatë bombarimeve izraelite, më 22 janar, 2024/AFP

Me luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në prapavijë, një kombinim sulmesh rajonale dhe deklaratash kundërthënëse, sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias gjatë fundjavës shtuan tensionet në gjendjen tashmë të tendosur në Lindje të Mesme.

Tensionet në Lindje të Mesme po rriten pas sulmit në kryeqytetin sirian Damask që vrau pesë komandantë të Gardës Revolucionare Iraniane të shtunën. Presidenti i Iranit Ebrahim Raisi fajësoi Izraelin dhe u zotua me hakmarrje. Shteti hebraik nuk mori përgjegjësi për sulmin dhe po vazhdon të përqëndoret në goditjen e objektivave të Hamasit në Gazë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të grupit militant në tetor që shkaktoi 1,200 të vdekur. Rreth 240 pengje gjithashtu u rrëmbyen nga Hamasi.

Your browser doesn’t support HTML5

Tensione në rritje në Lindje të Mesme pas sulmeve në Siri dhe Irak

Që kur filloi lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, trupa ushtarake të Shteteve të Bashkuara, aleatit kryesor të Izraelit, në Lindje të Mesme janë sulmuar gjithashtu dhjetëra herë. Të shtunën baza ushtarake ajrore amerikane Al-Asad në Irak ishte shënjestër e një sulmi.

“Ishte një sulm shumë serioz me predha me rreze të gjatë veprimi që kërcënojnë forcat amerikane. Shtetet e Bashkuara kanë dëshmuar në të kaluarën se kur këto sulme ndodhin në Irak dhe Siri, që do të kundërpërgjigjemi në momentin që e vlerësojmë të nevojshme për të parandaluar situata të tilla dhe për t’i mbajtur këto grupe që vazhdojnë të na sulmojnë përgjegjëse,” deklaron zëvendës-këshilltari për siguri kombëtare, Jon Finer për televizionin amerikan ABC.

Ndërkohë që zyrtarët shëndetësorë në Gazë që raportojnë se mbi 25,000 njerëz janë vrarë deri më tani në luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë trysninë ndaj Izraelit për të mbrojtur civilët dhe për të lejuar depërtimin e një sasie të shtuar të ndihmës humanitare.

“Gjatë ditëve të fundit, ata kanë njoftuar se do të lejojnë miellin të shkarkohet në portin izraelit Ashdod dhe pastaj të dërgohet në Gazë. Këta janë hapa të vegjël, por të rëndësishëm, por njëkohësisht të pamjaftueshëm,” shtoi zoti Finer.

Të përballur me mungesë të ushqimit, vullnetarët po u shpërndajnë bukë palestinezëve të zhvendosur në Rafah. Megjithatë, gjendja mbetet e paqëndrueshme, paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres gjatë takimit të nivelit të lartë të “Vendeve të Paangazhuara” në Kampala të Ugandës.

“Njerëzit po vdesin jo vetëm nga bombat dhe plumbat, por nga mungesa e ushqimit dhe ujit të pastër, spitaleve pa energji elektike dhe ilaçe dhe udhëtimeve të lodhshme nëpër vende që po tkurren gjithnjë e më shumë për t’iu ikur luftimeve. Kësaj gjendje duhet t’i jepet fund," deklaroi ai.

Por pavarësisht trysnisë së brendshme nga familjarët e pengjeve izraelite për të arritur një marrëveshje me Hamasin, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në rrjete sociale të shtunën u zotua sërish të shkatërrojë Hamasin dhe theksoi nevojën për të mbajtur një kontroll sigurie mbi Gazën pas përfundimit të luftës.

“Shteti i Izraelit duhet të ketë kontroll sigurie mbi të gjithë territorin që shtrihet në perëndim të lumit Jordan. Ky është kusht i domosdoshëm dhe nëse bie ndesh me idenë e sovranitetit palestinez, çfarë të bëjmë?”, tha zoti Netanyahu.

Komentet e tij hodhën dyshime ndaj zgjidhjes për krijimin e dy shteteve me palestinezët që Uashingtoni dhe palë të tjera, e kanë mbështetur me vite, si një zgjidhje përfundimtare për konfliktin.