Një zyrtar i lartë i grupit terrorist Houthi, që mbështetet nga Irani, tha se anijet kineze dhe ruse të mallrave do të jenë të sigurta gjatë kalimit përmes Detit të Kuq.
Mohammed al-Bukhaiti, anëtar i udhëheqjes politike të grupit Houthi, tha në një intervistë për protalin rus “Izvestia” se rrugët detare për anijat nga Kina dhe Rusia janë të sigurta nëse ato nuk kanë lidhje me Izraelin.
Udhëheqësit e grupit Houthi kanë shprehur solidaritetin e tyre me palestinezët, që po vuajnë nga lufta e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës dhe kanë kryer mbi 30 sulme në Detin e Kuq.
Megjithatë, anëtarët e grupit Houthi kanë sulmuar anije tregtare, që nuk kanë lidhje me Izraelin, duke detyruar kompanitë ndërkombëtare të transportit të mallrave që të shmangin rrugët detare në Detin e Kuq.
Kompanitë e mëdha të eksportit të mallrave kanë reaguar ndaj sulmeve në Detin e Kuq, duke dërguar anijet e tyre të mallrave në rrugë të tjera më të gjata detare dhe me kosto më të lartë rreth Afrikës. Rruga detare në Detin e Kuq është jetike për kalimin e anijeve të mallrave mes Evropës dhe Azisë, duke përbërë 15 për qind të trafikut detar të botës.
Rebelët e grupit Houthi hodhën dy raketa balistike në drejtim të një anijeje amerikane në Gjirin e Adenit, tha shtabi qendror i ushtrisë amerikan në një deklaratë të lëshuar të enjten.
Në deklaratë thuhet se anëtarët e ekuipazhit panë raketën duke rënë në ujërat afër anijes. Nuk pati njoftime për të lënduar ose dëme ndaj anijes cisternë të kompanisë amerikane “M/V Chem Ranger”, e cila po operohej nga një kompani greke dhe lundronte me flamurin e Ishullit Marshall.
Rebelët e grupit Houthi pretenduan përmes një deklarate ne mediat sociale se ata e kishin goditur anijen.
Të enjten, forcat amerikane kryen sulme të tjera ndaj objektivave në territorin e kontrolluar nga grupi Houthi në Jemen, i cili mbështetet nga Irani, ndërsa është rritur shqetësimi i përhapjes së konfliktit Izrael-Hamas në zona të tjera të Lindjes së Mesme.