Ushtria amerikane kreu një tjetër sulm kundër zonave të kontrolluara nga rebelët Houthi të Jemenit. Kjo ishte kundërpërgjigje ndaj një sulmi që Houthi bëri të mërkurën dhe që dëmtoi një anije tregtare në pronësi të Shteteve të Bashkuara, e cila lundronte në Gjirin e Adenit. Sulmet u bënë pasi Shtetet e Bashkuara i ripërcaktuan rebelët Houthi, një organizatë që mbështetet nga Irani, si organizatë terroriste pas disa javësh sulmesh me raketa dhe dronë të grupit jemenas ndaj anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, kritikët mbeten të shqetësuar për agresionin në rritje të Iranit në rajon.
Your browser doesn’t support HTML5
Shtetet e Bashkuara të mërkurën i futën militantët Houthi në listën e grupeve terroriste, pas rreth 30 sulmeve ndaj anijeve në rrugët ndërkombëtare të Detit të Kuq.
“Nëse (rebelët) Houthi ndalojnë sulmet, ne mund ta rishqyrtojmë vendimin”, thotë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Në të kundërtën, Shtetet e Bashkuara dhe Britania mund të kryejnë më shumë sulme kundër pikave brenda Jemenit nga ku Houthi lëshon raketa dhe dronë kundër anijeve në Detin e Kuq.
“Ata duhet të pyesin veten se deri në ç’masë duan shkatërrimin e aftësive të tyre ushtarake ndërsa vazhdojnë këto sulme të pamatura dhe të rrezikshme”, thotë gjeneralmajor Pat Ryder, zëdhënës i Pentagonit.
“Është një përgjigje e vonuar dhe ende nuk mund të vlerësohet si e plotë”, thotë Behnam Ben Taleblu i Federatës për Mbrojtjen e Demokracive.
Kritikët e Shtëpisë së Bardhë, si analisti Behnam Ben Taleblu thonë se duhet bërë më shumë kundër grupit Houthi, të cilët shërbejnë si përfaqësues të mbështetësit të tyre ushtarak, Iranit.
“Ky është një projekt neo-kolonial në të cilin Republika Islamike po bën përpjekje për të nxitur kriza në të gjithë zonën arabe të Lindjes së Mesme, për t'i bërë grupet që mbështesin të aftë të luftojnë kundërshtarin ideologjik të Republikës Islamike, që është shteti hebre”, thotë zoti Taleblu.
Irani furnizon me armë grupet e dhunshme në të gjithë Lindjen e Mesme: në Gazë, Liban Siri, Irak dhe Jemen.
Gjatë këtij muaji, forcat amerikane me një varkë të vogël në brigjet e Somalisë konfiskuan disa armë të avancuara, të prodhuara nga Irani dhe që kishin si destinacion Jemenin.
Irani mohon të ketë furnizuar Huthit me raketa, pavarësisht provave të shpeshta për të kundërtën.
“Irani zakonisht synon të krijojë distancë midis tij dhe kërcënimeve gjë që i krijon mundësinë që të mohojë përfshirjen. Por regjimi islamik në fakt krenohet hapur me kapacitetin e raketave që ka zhvilluar”, thotë analisti Behnam Ben Taleblu nga Federata për Mbrojtjen e Demokracive.
Teherani kreu sulme me raketa vdekjeprurëse brenda Irakut dhe Pakistanit këtë javë, duke zemëruar fqinjët e tij. Islamabadi tërhoqi ambasadorin e tij iranian ndërsa irakianët në rajonin verior kurd nisën protesta masive.