16 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

Rrënojat e një ndërtese si pasojë e sulmeve izraelite, në Rafah, Gazë, 18 janar, 2024.

Mjekët palestinezë thanë të enjten se 16 persona u vranë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në qytetin Rafah, në Gazë. Sipas tyre, gjysma ishin fëmijë. Agjencia e lajmeve Associated Press njofton se ushtria vazhdoi sulmet në zona ku civilëve u është thënë të gjejnë strehim.

Ndërkohë, nuk ka asnjë deklaratë nëse ilaçet që hynë në Gazë të mërkurën, si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Franca dhe Katari, u janë shpërndarë dhjetëra pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi.

Luftimet mes Izraelit e Hamasit po vazhdojnë prej më shumë se 100 ditësh. Ato nisën pasi grupi Hamas, sulmoi Izraelin në 7 tetor. Ushtria izraelite vazhdon të kryejë një prej ofensivave ushtarake më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese në historinë e kohëve të fundit, me qëllimin për të shkatërruar grupit militant që ka udhëhequr Gazën që prej vitit 2007 si dhe për të liruar personat që po mbahen peng. Lufta ka nxitur tensione në të gjithë rajonin dhe janë shtuar shqetësimet se mund të nxisë konflikte të tjera.

Rreth 85 për qind e 2.3 milionë banorëve të Rripit të Gazës janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe sipas Kombeve të Bashkuara një e katërta e popullatës po vuan nga uria.

Qindra mijëra palestinezë i janë bindur urdhërave të evakuimit të Izraelit dhe janë zhvendosur në jug të Gazës, ku qendrat e strehimit të ngritura nga Kombetet e Bashkuara janë mbipopulluar. Por Izraeli ka vazhduar të godasë, siç thotë, objektivat e militantëve në të gjithë Gazën, duke vrarë shpesh gra dhe fëmijë.