Administrata e Presidentit Biden njoftoi të mërkuren se ka rikthyer rebelët Houthi në listën e organizatave terroriste.
Ushtria amerikane ka kryer një seri sulmesh në Jemen, që në shënjestër kanë patur zonat e kontrolluara nga rebelët Houthi, ku janë stacionuar sistemet e lëshimit të raketave balistike, që kanë sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq. Sulmet e rebelëve Houthi kanë ndërprerë transportin detar të mallrave në Detin e Kuq, duke nxitur reagimin e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.
Milicia Houthi, aleate e Iranit ka kërcënuar me zgjerim të sulmeve në Detin e Kuq, duke përfshirë ato ndaj anijeve amerikane, në përgjigje të sulmeve amerikane dhe britanike ndaj pozicioneve të tyre në Jemen. Rebelët Houthi thonë se sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq u kryen në përgjigje të sulmit të Izraelit në Rripin e Gazës, që ka shkaktuar vrasjen e mijëra palestinezeve dhe një krizë humanitare. Sulmi i 7 tetorit nga Hamasi në Izrael, në të cilin u vranë 1200 persona dhe u morën peng 240 të tjerë, shkaktoi një përgjigje të fortë ushtarake nga Izraeli.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken hoqi grupin Houthi nga lista e organizatave terroriste në shkurt të vitit 2021 për të lehtësuar dërgimin e ndihmave humanitare në Jemen.
Presidenti amerikan Joe Biden i quajti të premten forcat Houthi të Jemenit një grup "terrorist", pasi avionët luftarakë, anijet dhe nëndetëset amerikane dhe britanike kryen dhjetëra sulme ajrore në të gjithë Jemenin.
Udhëheqësit e grupit Houthi kanë kërcënuar se do të jetë një "përgjigje të fortë dhe efektive".