Trump kthehet në gjykatë për gjyqin për shpifje pas fitores së thellë në Ajova

Trump Columnist Lawsuit

Pas fitores së thellë të zgjedhjeve paraprake në Ajova, ish Presidenti Donald Trump u ul të martën në një sallë gjyqi në Nju Jork për t’u përballur me akuzat për shpifje nga shkrimtarja E Jean Carroll, pasi ajo e kishte akuzuar atë për dhunë seksuale disa dekada më parë.

Zoti Trump shikonte nga tavolina e të pandehurit ndërsa avokatja e zonjës Carroll i tha një jurie se ish Presidenti Trump ia bëri asaj jetën të vështirë në vitin 2019, pasi ajo publikoi historinë e saj për një sulm seksual në dhomat e zhveshjes së një dyqani në Manhattan.

“Ai përdori mikrofonin më të madh në botë për të sulmuar zonjën Carroll, për të denigruar dhe për dëmtuar reputacionin e saj”, tha avokatja Shawn Crowley.

E. Jean Carroll

Carroll, 80 vjeç, kërkon një dëmshpërblim prej të paktën 10 milionë dollarësh në këtë aktpadi, që sjell vëmendjen tek akuza për sulm seksual, ndërsa zoti Trump po bën fushatë për të siguruar emërimin e partisë republikane si kandidat i saj për president në zgjedhjet e nëntorit.

Juria do të shqyrtojë vetëm shumën e dëmshpërblimit që zoti Trump duhet t'i jape zonjës Carroll, jo vërtetësinë e akuzës për sulm seksual dhe atë nëse zoti Trump gjenjeu lidhur me këtë akuzë.

Avokatja Crowley tha se gënjeshtrat e "tmerrshme" të zotit Trump shkaktuan një valë abuzimesh nga ndjekësit e tij dhe kërcënuan sigurinë e zonjës Carroll.

“Ndërsa zoti Trump po bën fushatë për president, ai vazhdon të gjenjejë për zonjën Carroll”, tha avokatja Crowley.

Avokatja e zotit Trump, Alina Habba, u kundërpërgjigj duke thënë se Carroll "ka përfituar nga fakti që është në qendër të vëmendjes së vendit" në vitet që kur ajo publikoi historinë e saj dhe e akuzoi zotin Trump për sulm seksual.

"Ajo po kërkon dëmshpërblim të madh thjeshtë sepse disa njerëz në rrjetet sociale kanë thënë gjëra të këqija për të", tha avokatja Habba.

Donald Trump

Donald Trump, 77 vjeç, ka thënë se dëshiron të dëshmojë në këtë gjyq.

Gjykatësi federal Lewis Kaplan e ka ndaluar zotin Trump që të shprehet në publik për çështjet se ai nuk ka shpifur apo nuk ka ushtruar dhunë seksuale ndaj zonjës Carroll apo se ajo kishte trilluar historinë e saj.

Megjithatë, zoti Trump akuzoi zonjën Carroll në mediat sociale se ajo ka gënjyer ndërsa procedurat gjyqësore kishin nisur të martën në mëngjes.

Menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore, zoti Trump akuzoi gjykatësin Kaplan për anshmëri politike ndaj tij, duke u bërë jehonë ankesave të tij ndaj gjykatësve në rastet e tjera të qeverisë amerikane ndaj tij.

Ish Presidenti Trump mund të kalojë më shumë se një vit duke lëvizur mes sallave të gjyqit dhe fushatës, ndërsa ai përpiqet të sigurojë emërimin e partisë republikane si kandidat i saj në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Lexoni edhe këtë Ish presidenti Trump fiton thellë në zgjedhjet paraprake në Ajova


Ai fitoi zgjjedhjet paraprake në shtetin e Ajovës të hënën me një epërsi të madhe dhe anketimet tregojnë se ai kryeson në garën e radhës në Nju Hempshër, një javë para ditës së zgjedhjeve paraprake në këtë shtet.

"Unë duhet të jem në Nju Hempshër për të bërë fushatë dhe për të luftuar për vendin tonë, një gjë që do ta bëjë më vonë, por tani jam i detyruar të kalojë kohë në një gjykatë federale me një gjykatës me pikëpamje të majta radikale, i cili e urren zotin Trump", shkroi ish Presidenti Trump në rrjetin social "Truth Social" pas përfundimit të seancës gjyqësore.

Ish Presidenti Trump nuk e ka pranuar fajësinë në katër çështje të tjera penale, të cilat mund ta çojnë atë në burg përpara zgjedhjeve të presidenciale të nëntorit, duke përfshirë dy akuza për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat i fitoi rivali i tij demokrat Joe Biden.

Gjykatësi Kaplan tha se ai pret që gjyqi për shpifje ndaj ish Presidentit Trump të zgjasë tre deri në pesë ditë.