Imazhet e publikuara sot nga një fotograf palestinez tregojnë popullatën civile duke vrapuar dëshpërimisht pas ndihmave në ushqime që kanë mbërritur në pjesën veriore të Gazës. Lufta ka shkatërruar pothuajse gjithë infrastrukturën në këtë pjesë të territorit, ndërsa forcat izraelite, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare, kanë vazhduar edhe të hënën sulmet ajrore në të gjithë Rripin e Gazës.
Your browser doesn’t support HTML5
Ushtria izraelite tha të hënën se falë operacioneve të tyre, për gjetjen e armative të grupit, ishin vrarë pesë militantë në Gazën veriore. Sipas njoftimit, sulmet ajrore dhe tokësore shkatërruan objektet e magazinimit të armëve në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis.
Autoritetet e Hamasit thonë se numri i të vdekurve ishte rritur në mbi 24 mijë dhe më shumë se 60,000 të tjerë janë të plagosur ndonëse kur Hamasi kur jep shifra të viktimave nuk bën dallime mes luftëtarëve dhe civilëve.
Izraeli filloi fushatën e tij ushtarake për të shkatërruar Hamasin pas sulmit terrorist të 7 tetorit kur luftëtarët e tij kaluan në jug të Izraelit, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë robër 240 të tjerë.
Të dielën pasdite gjatë një mbledhje të qeverisë mbi buxhetin, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti se lufta do të vazhdojë gjatë.
“Një nga gjërat që u bë e qartë është se ne do ta vazhdojmë këtë luftë e cila do të zgjasë edhe shumë muaj. Kjo kërkon që ne të shpenzojmë shumë më tepër për sigurinë sesa kemi planifikuar”, thotë zoti Netanyahu.
Ai është zotuar disa herë se lufta nuk do të ndalet pavarësisht trysnisë në rritje ndërkombëtare që të ndërpresë ofensivën ushtarake për shkak të numrit të madh të viktimave dhe shkatërrimit masiv të infrastrukturës civile në Gazë.
Imazhet e publikuara sot, të regjistruara nga telefoni celular i një fotografi palestinez, tregojnë popullatën civile në pjesën veriore të Gazës, duke vrapuar pas makinave të OKB-së në kërkim të miellit dhe ushqimeve. Sipas fotografit Nooh Al Shaghnobi ndihmat humanitare në pjesë që gjendet në kufi me Izraelin, janë shumë të rralla dhe sa herë del informacioni se kanë ardhur ushqime, njerëzit vrapojnë me dëshpërim për të siguruar, të paktën një thes me miell.
“Pika e kontrollit e izraelitëve është afër dhe shikoni me mijëra njerëz se si vrapojnë për të marrë miell”, dëgjohet duke thënë në video fotografi palestinez, Nooh Al-Shaghnobi.
Të dielën u shënuan njëqind ditë që pas fillimi i luftës Izrael-Hamas që kanë rritur shqetësimet për një zgjerim të konfliktit.