Përfitimet dhe rreziqet për mjedisin nga minierat në thellësinë e detit

  • Steve Baragona

Deep Sea Mining

Mijëra metra thellësi në Oqeanin Paqësor ndodhen depozita të mëdha të mineraleve të nevojshme për kalimin në energji të ripërtëritshme.

Kompanitë e minierave janë të gatshme të mbledhin këtë thesar nënujor, të shpërndarë në një hapësirë më të madhe se gjysma e Shteteve të Bashkuara. Por nuk dihet shumë për ekosistemin në thellësinë e oqeanit dhe ndikimin që mund të kenë operacionet për nxjerrjen e mineraleve.

Your browser doesn’t support HTML5

Përfitimet dhe rreziqet për mjedisin nga minierat në thellësinë e detit

Këta gurë të zin përbëjnë disa nga mineralet më të rëndësishme në botë, përfshirë kobaltin, manganin dhe nikelin.

Kompania “Metalet” me bazë në Kanada i nxori ata nga shtrati i detit, në një thellësi prej rreth pesë mijë metrash.

Kompania ka qasje në rreth 1.6 miliardë tonë prej tyre, thotë shefi ekzekutiv Gerard Barron.

"Kjo është e mjafteshme për të ndërtuar 280 milionë bateri të mesme të automjeteve elektrike. Pra mjafton për të transformuar të gjitha makinat amerikane”, thotë ai.

Ndërsa bota po heq dorë nga lëndët djegëse fosile, kërkesat për metale po shtohen. Për përmbushjen e synimeve globale për klimën duhen afërisht 20 herë më shumë nikel dhe kobalt deri në vitin 2040, krahasur me sasinë që përdoret tani.

"Në qendër duhet të jetë furnizimi i sigurt me këto metale, por edhe minimizimi i pasojave tek planeti dhe ekosistemi”, thotë zoti Barron.

Sipas vlerësimeve ka më shumë metale si këto në shtratin e detit sesa në të gjitha rezervat në tokë.

Zoti Barron thotë se ato nxirren pa shfrytëzuar njerëzit, siç ndodh në minierat e kobaltit të prodhuesit kryesor në botë, Republika Demokratie e Kongos; apo rrafshimi i pyjeve tropikale në Indonezi, që shihet si furnizuesi kryesor i nikelit.

Por do të ketë pasoja mjedisore. Fundi i thellë i detit është një nga mjediset më ekstreme në botë, por edhe aty ka jetë.

"Jashtëzakonisht i ftohtë, i errët, presion shumë i lartë, padyshim deri në 5 mijë metra. Vlera shumë të ulëta të ushqimit… por çuditërisht, jeta ekziston”, thotë Adrian Glover nga muzeu i historisë së natyrës në Londër.

Ai udhëheq një grup që studion jetën në thellësi të mëdhah. Ai thotë se shumë specie është vështirë të identifikohen.

"Zbarkon në shtratin e detit dhe në pamje të parë, nuk të duket se ka shumë jetë atje. Sheh masat e krijuara, baltën. Vetëm përmes mikroskopit, e sheh se ka shumë biodiversitet”, thotë zoti Glover.

Ekipi i tij ka identifikuar më shumë se 5 mijë specie që nuk janë parë kurrë. Përshtatja e tyre në ekosistemin e oqeanit mbetet një e panjohur e madhe.

Enigmë mbetet edhe ndikimi që zhurma, drita dhe shtëllungat e baltës nga operacionet e minierave do të kishin në jetën e oqeanit.

Autoriteti Ndërkombëtar i shtratit të detit po punon për rregullimin e kësaj industrie të re. Zoti Glober dhe të tjerë po e këshillojnë atë mbi zonat që duhet të mbrohen.

"Është e ngjashme me peshkimin, ku përpiqesh të kuptosh se cilat zona duhen mbrojtur dhe ku mund të peshkosh, thotë ai.

Ndërkohë, grupet për mbrojtjen e mjedisit po bëjnë thirrje për një moratorium, së bashku me mbi 20 qeveri kombëtare dhe më shumë se 30 kompani të mëdha.

Por kompania “Metalet” planifikon aplikimin për fillimin e operacioneve në fund të vitit të ardhshëm, duke risjellë në qendër të vëmendjes polemikat mbi minierat në thellësinë e detit.