Shtëpia e Bardhë: Sekretari Austin ka nevojë për kujdes të mëtejshëm mjekësor

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby tha të dielën se mjekët e Sekretarit të Mbrojtjes, Lloyd Austin mendojnë se ai mund të ketë nevojë për kujdes shëndetësor të mëtejshëm.

"Do ta shohim se kur mund të dalë nga spitali, por mjekët mendojnë se ai vazhdon të ketë nevojë për kujdes mjekësor, përfshirë terapi fizike," tha zoti Kirby në një intervistë për emisionin "Face the Nation" të televizionit CBS.

Zoti Kirby tha se presidenti Joe Biden dhe zoti Austin "janë në komunikim të rregullt" dhe se sekretari është “i angazhuar në mënyrë aktive" nga spitali.

Lexoni edhe këtë Kritika për mbajtjen fshehtë të gjendjes shëndetësore të Sekretarit të Mbrojtjes

Zoti Austin vazhdon të jetë i shtruar në spital dhe është në gjendje të mirë, tha Pentagoni të dielën, duke shtuar se ende nuk ka një datë për daljen e tij.

Sekretari i Mbrojtjes, 70 vjeç, u shtrua në Qendrën Mjekësore Ushtarake Kombëtare “Walter Reed” në Merilend më 22 dhjetor për t’u trajtuar për kancer të prostatës.

Ai u rikthye në spital më 1 janar për shkak të komplikimeve, përfshirë një infeksion të rrugëve urinare.

Zoti Biden tha të premten se ka besim te sekretari Austin, pavarësisht se ai e pranoi që zoti Austin kishte gabuar që e kishte mbajtur të fshehtë shtrimin në spital.

Shtëpia e Bardhë u kap në befasi kur mësoi për shtrimin e zotit Austin në spital dhe fakti që ai e mbajti të fshehtë një gjë të tillë, u kritikua nga ligjvënësit.