Qarku i Kukësit mes emigrimit të të rinjve dhe varfërisë

  • Pëllumb Sulo

Qarku Kukës

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kukës shprehin shqetësimin mbi vazhdimin e fenomenit të emigracionit të paligjshëm, kryesisht të të rinjve, gjë që sipas tyre po ndikon në përkeqësimin e jetës social-ekonomike të banorëve të një prej zonave me pasuri të shumta natyrore, me miniera të kromit dhe bakrit, hidrocentrale si ai i Fierzës që është furnizuesi kryesor i vendit me energji, parku kombëtar i Valbonës, por edhe disa pikëkalime kufitare me Kosovën.

Your browser doesn’t support HTML5

Qarku i Kukësit mes emigrimit të të rinjve dhe varfërisë

Megjithatë, thotë Rifat Demalija nga Qendra Rinore Progres, të rinjtë vazhdojnë të largohen përmes kanaleve që trafikantët kanë ngritur prej vitesh.

“Vetëm në vitin 2023 mund të ketë 400-500 të rinj që kanë tentuar të largohen drejt Anglisë, por jo vetëm, edhe vendeve të tjera për arsye emigracioni. Ndërkohë, ka rënë numri i familjeve me fëmijë, të cilët largohen nga vendi, kjo për arsye se një pjesë e madhe, pasi kanë provuar emigracionin e paligjshëm, janë rikthyer dhe nuk kanë rrezikuar për t’u larguar përsëri për shkak të kostove të larta, rrezikut për fëmijët e tyre edhe pasigurisë në vendin e mbërritjes”, thotë ai.

Vetëm gjatë vitit 2022, sipas të dhënave të Insitutit të Statistikave, popullsia e Qarkut të Kukësit u paksua me 1270 persona, ose me 1.7 përqind, dhe kjo kryesisht për shkak të emigracionit. Numri më i madh i të larguarve drejt emigracionit nga Qarku i Kukësit është nga zonat rurale, ku edhe kushtet e jetesës janë më të vështira dhe ku, gjithnjë e më shumë, po ndjehet mungesa e fuqisë punëtore.

Banorët e tre bashkive të Qarkut të Kukësit thuajse nuk përfitojnë asgjë nga pasuritë e shumta natyrore që shfryrëzohen ne territorin e tyre, çka ka ndikuar që Qarku i Kukësit të renditet si qarku më i varfër në Shqipëri.

“Vështirësitë ekonomike, papunësia, arsimimi, infrastruktura, që nuk janë të duhurat në vendin ku ata jetojnë, bëjnë që këta të rinj të largohen”, thotë Eris Zenelaj nga shoqëria civile.

Emigracioni i paligjshëm dhe i paorganizuar, sipas zotit Demalija, ka ndikuar negativisht në ekonominë e zonës, ku tashmë ndjehet mungesa e aktivitetit ekonomik të të rinjve, kjo e theksuar kryesisht në zonën rurale të tre bashkive të këtij qarku.

“Nëse hedhim një vështrin në bar-lokalet dhe restorantet e Kukësit, Hasit dhe Tropojës vërejmë fenomenin e moshave shumë të reja, 12, 13 vjeçare, të cilët shërbejnë si kamarierë, tej normave të lejuara për punësim, por kjo ka ardhur për shkak të mungesës së krahut të punës”.

Të gjendur përballë një fenomeni që nuk po ndalet, përfaqësuesit e shoqërise civile në Qarkun e Kukësit shprehen mbi nevojën e programeve të qarta qeveritare në mbështetje të zhvillimit social-ekonomik të kësaj zone të largët verilindore për të frenuar emigracionin e paligjshëm, kryesisht të të rinjve drejt vendeve të BE-së.