Izraeli vazhdoi bombardimet në Rripin e Gazës të shtunën, ndërsa lufta kundër Hamasit i afrohet 100 ditëve pa një fund të dukshëm. Në qytetin jugor të Rafahut, një sulm ajror izraelit shkaktoi vdekjen e 10 vetëve, tha ministria e shëndetësisë e Gazës e kontrolluar nga Hamasi.
Izraeli thotë se objektivi i tij janë militantët dhe se bën të gjitha përpjekjet për të minimizuar pasojat tek civilët. Por shkalla e vrasjeve në Gazë dhe situata e rëndë humanitare ka tronditur opinionin botëror dhe ka nxitur thirrjet në rritje për armëpushim.
Ushtria izraelite tha të shtunën se forcat e saj kishin vrarë një numër militantësh në zonën jugore të Khan Younisit dhe në pjesën qendrore të Gazës.
Hamasi tha se luftëtarët e tij qëlluan në një helikopter izraelit në Khan Younis. Në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, banorët njoftuan për beteja intensive me armë dhe bombardime tankesh dhe sulme ajrore izraelite në Al-Bureij, Al-Nusseirat dhe Al-Maghazi.
Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër militantët dhe një qendër komanduese të Hamasit në ato zona.
Më shumë se 20 viktima u raportuan në Gazën veriore, Beit Lahiya dhe në lagjen Daraj në qytetin e Gazës. Izraeli ka njoftuar një fazë të re luftimesh, duke tërhequr disa forca nga Gaza veriore, ku ata u dislokuan tre javë pasi militantët sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, duke ndezur luftën që shënon 100 ditë të dielën.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf Al-Qidra tha se sulmet izraelite vranë 135 palestinezë dhe plagosën 312 në 24 orët e fundit Ai tha se 23,843 palestinezë, kryesisht civilë, janë vrarë që kur filloi lufta. Izraeli thotë se ka vrarë të paktën 8,000 luftëtarë deri tani dhe se nuk ka alternativë përveç shkatërrimit të Hamasit në Gazë, pasi militantët, të cilët janë betuar për shkatërrimin e Izraelit, vranë 1200 vetë, kryesisht civilë, dhe morën 240 pengje në sulmin e 7 tetorit.