SHBA, vrau 10 persona në një supermarket, prokurorët kërkojnë dënimin me vdekje

Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë të premten prokurorët federalë do të kërkojnë dënimin me vdekje kundër një supremacisti të bardhë, i cili vrau 10 afrikano-amerikanë, në një supermarket të qytetit Buffalo, të Nju Jorkut.

Payton Gendron, 20 vjeç, po vuan tashmë një dënim me burgim të përjetshëm, pa asnjë mundësi lirimi me kusht, mbi sulmin e kryer në vitit 2022. Ai u deklarua fajtor për akuzat shtetërore për vrasje dhe terrorizëm të mbrendshëm të motivuar nga urrejtja.

Nju Jorku nuk ka dënim me vdekje, por Departamenti i Drejtësisë ka mundësinë ta kërkojë atë në një rast të veçantë, të ngritjes së akuzave për krime me bazë urrejtjen në nivel federal. Gendron kishte premtuar se do ta pranonte fajin në atë rast, nëse prokurorët nuk do të kërkonin dënimin me vdekje.

Në njoftimin ku bëhej i ditur vendimi për të kërkuar dënimin me vdekje, Trini Ross, prokurori amerikan për Nju Jorkun perëndimor, shprehej se Gendron kishte zgjedhur supermarketin "për të maksimizuar numrin e viktimave mes njerëzve me ngjyrë".

Të afërmit e viktimave kanë shprehur pikëpamje të përziera lidhur me vendimin e prokurorëve federalë për të kërkuar dënimin me vdekje të autorit të sulmit.

Do të isha më shumë i kënaqur nëse do të dija se ai do të kalonte pjesën tjetër të jetës së tij në burg, rrethuar nga ajo pjesë e popullatës që ai u përpoq të vriste", tha Mark Talley, nëna 63-vjeçare e të cilit, u vra gjatë sulmit.

"Do të preferoja që ai të kalonte pjesën tjetër të jetës së tij në burg duke vuajtur çdo ditë", shtoi ai.

Kjo është hera e parë që Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland autorizon një kërkesë për dënim me vdekje. Nën udhëheqjen e tij, Departamenti i Drejtësisë është tërhequr dhe nuk ka kërkuar dënimit me vdekje në më shumë se 20 raste.

Familjarët e viktimave të tjera nuk kanë bërë ende ndonjë koment lidhur me vendimin e prokurorëve.

Departamenti i Drejtësisë i ka bërë rastet federale të dënimit me vdekje një gjë të rrallë që nga zgjedhja e Presidentit demokrat Joe Biden, i cili kundërshton dënimin me vdekje. Zoti Garland vendosi një moratorium për ekzekutimet federale në vitin 2021 në pritje të rishikimit të procedurave. Megjithatë moratoriumi nuk i pengon prokurorët të kërkojnë dënime me vdekje.

Më 14 maj 2022, Gendron sulmoi një supermarket në Buffalo, me një pushkë gjysmë automatike. Për të kryer sulmin ai udhëtoi më shumë se 320 kilometra, larg nga shtëpia e tij në fshatin Conklin, të Nju Jorkut.

Gendron e zgjodhi supermarketin nisur nga vendndodhja e tij, në një lagje ku mbizotëron komuniteti afrikano-amerikan dhe masakrën e transmetoi drejtpërdrejt me një kamerë të vendosur në një helmetë që mbante në kokë .

Viktimat, ishin të moshës nga 32 në 86 vjeç. Tre persona mbetën të plagosur, por arritën të mbijetojnë.