Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dëgjoi sot pretendimet e Afrikës së Jugut se lufta e Izraelit ndaj Hamasit paraqet gjenocid ndaj palestinezëve. Izraeli e mohon tërësisht këtë akuzë. Ndonëse shqyrtimi dhe vendimi për këtë rast do të zgjasë me vite, Afrika e Jugut po kërkon nga Gjykata e Drejtësisë të urdhërojë pezullim të menjëhershëm të ofensivës ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.
Your browser doesn’t support HTML5
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë hapi sot seancën dy ditore, për të dëgjuar argumentet e palëve.
Presidentja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Joan E. Donoghue tha se Afrika e Jugut pretendon që veprimet e Izraelit pas sulmit të Hamasit me 7 tetor “kanë karakter gjenocidi” dhe se Izraeli “ka dështuar të parandalojë gjenocidin dhe se po kryen gjenocid.”
“Gjykata po mblidhet sot dhe nesër për të dëgjuar qëndrimet e palëve për padinë Afrikës së Jugut lidhur me konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit në Rripin e Gazës”.
Izraeli i mohon kategorikisht akuzat.
Çështja gjyqësore ndërmjet Izraelit dhe Afrikës së Jugut shkon përtej luftës në Gazë. Ajo paraqet një ndër rastet më të rëndësishme që janë sjellë para gjykatës ndërkombëtare dhe që trajton njërin prej konflikteve më të gjata në historinë e botës.
Gjithashtu, ky proces gjyqësor prek çështjen themelore të identitetit kombëtar të Izraelit si shtet hebre, i krijuar pas gjenocidit nazist kundër hebrenjve. Afrika e Jugut i krahason politikat e Izraelit në Gazë dhe Bregun Perëndimor me historinë e vet gjatë apartheidit në sundimin e pakicës së bardhë deri në vitin 1994.
Ministri i Drejtësisë së Afrikës së Jugut Roland Lamola tha se asgjë nuk e arsyeton shkeljen e konventës.
“Asnjë sulm i armatosur ndaj territorit të një shteti, pavarësisht sa serioz të jetë, edhe në rastet kur sulmi përfshin krime lufte, nuk mund të jetë justifikim për shkeljen e konventës, qoftë në aspektin ligjor apo moral. Përgjigja e Izraelit ndaj sulmit të 7 tetorit e ka shkelur këtë vijë dhe i ka hapur rrugë shkeljes së konventës,” deklaroi ai.
Në sulmin e Hamasit ndaj vendbanimeve izraelite në tetor militantët e këtij grupi vranë 1,200 izraelitë dhe morën peng rreth 240 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë bombardimi dhe sulmi tokësor që synon të shkatërrojë Hamasin. Ofensiva e Izraelit ka vrarë mbi 23,000 palestinezë në Gazë, sipas autoriteteve të enklavës që qeveriset nga Hamasi.
“Gaza, që është njëri prej vendeve me popullsinë më të dendur në botë, ku jetojnë rreth 2.3 milionë palestinezë, gati gjysma e të cilëve janë fëmijë. Në këto 96 ditët e fundit, Gaza i është nënshtruar asaj që është cilësuar si një nga fushatat më të rënda të bombardimit konvencional në historinë e luftës moderne. Palestinezët në Gazë po vriten nga armët izraelite, me bombardime nga ajri, toka dhe deti. Ata janë të rrezikuar nga vdekjes si pasojë e urisë, dehidrimit dhe sëmundjeve. Shkatërrimi i qyteteve palestineze, mos-lejimi i ndihmës së mjaftueshme për të shkuar tek popullsia palestineze dhe pamundësia për ta shpërndarë këtë ndihmë të kufizuar ndërkohë që bombat bien, e bën të pamundur sigurimin e kushteve bazë të jetesës,” tha në gjykatë avokatja e Afrikës së Jugut, Adila Hassim.
Ndonëse zakonisht Izraeli i konsideron mekanizmat e Kombeve të Bashkuara dhe gjykatat ndërkombëtare si të padrejta dhe të njëanëshme, kësaj radhe ka dërguar një ekip të plotë ligjor për të mbrojtur operacionin ushtarak në përgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor. Avokatët e Izraelit do të paraqesin argumentet e tyre para gjykatës gjatë ditës së premte.
Në një deklaratë të mërkurën mbrëma, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbrojti veprimet e shtetit të tij dhe këmbënguli se ato nuk përbënin akte gjenocidi.
“Izraeli nuk synon që ta mbajë Gazën të pushtuar përgjithmonë apo të zhvendosë popullatën e saj civile. Izraeli po lufton terroristët e Hamasit, jo popullatën palestineze dhe po e bëjmë këtë në përputhje me ligjin ndërkombëtar,” tha ai.
Ndërkohë që argumentet ligjore po shpaloseshin në gjykatë, përkrahës të dyja palëve protestuan në Hagë.
Në mesin e protestuesve pro-izraelitë ishin edhe familjarë të pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi.
“Njerëzit po flasin për atë që po bën Izraeli, por Hamasi po kryen krim kundër njerëzimit çdo ditë, si në rastin e vëllait tim dhe pengjeve të tjera që mbahen atje, dhe askush nuk po flet për këtë. Andaj jam këtu të ngre zërin për pengjet,” tha vëllai i njërit prej të rrëmbyerve, Michael Nevy.
Disa nga përkrahësit pro-palestinezë në protestë thanë se identifikohen me vuajtjen e palestinezëve.
“Jam këtu për të përkrahur njerëzit e pafajshëm që po vdesin në Gazë,” deklaroi protesuesi pro-palestinez Khalil Mohamad.
Ndonëse gjyqit i duhen javë për të marrë vendime mbi masat e përkohshme të kërkuara nga palët, vendimi përfundimtar mund të zgjasë me vite.
Mbetet e paqartë nëse Izraeli do të përfillë ndonjë vendim të mundshëm të gjyqit për t’i ndalur operacionet ushtarake në Gazë. Në rast se nuk i respekton vendimet, Izraeli mund të përballet me sanksione të Kombeve të Bashkuara, por ato mund të bllokohen nga vetoja e Shteteve të Bashkuara.