Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve nisën të mërkurën procedurat për shkarkimin e zyrtarit të lartë të emigracionit të Presidentit Biden. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, ky proces i pazakontë filloi ndërsa një grup senatorësh të të dy partive po negociojnë një marrëveshje që do të reformonte ligjet e imigracionit në këmbim të votave që do të miratonin ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe Izraelin.
Your browser doesn’t support HTML5
Republikanët në Dhomës së Përfaqësuesve nisën këtë javë hetimet për shkarkimin e Sekretarit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas.
“Sekretari Mayorkas ka gënjyer vazhdimisht popullin amerikan dhe Kongresin. Hetimi ynë zbuloi më shumë se 100 raste ku ai ka mashtruar publikun”, tha Mark Green, kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve.
Procesi i pazakontë për të fajësuar një zyrtar të administratës nxiti reagimin e ligjvënësve demokratë. Ata thonë se zoti Mayorkas nuk mund të përballet me shkarkimin nga detyra për zbatimin e politikave shtetërore.
“Këtu nuk ka bazë legjitime për faj. Republikanët duan të nxisin përkrahësit e tyre dhe të sigurojnë fonde për fushatën zgjedhore. Ata e dinë se shumica e tyre e ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve po shkatërrohet”, thotë Bennie Thompson, anëtari më i lartë nga demokratët në Komisionin e Sigurisë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve.
Në fillim të javës, Sekretari Mayorkas mbrojti punën e tij, duke thënë se situata në kufirin SHBA – Meksikë është rezultat i një niveli të paprecedentë migrimi në të gjithë hemisferën perëndimore.
“Kemi nevojë që Kongresi të bëjë punën e tij dhe të veprojë. Sistemi ynë i imigracionit është i vjetëruar dhe kanë kaluar dekada që ka nevojë për reformim”, thotë Alejandro Mayorkas, Sekretari i Sigurisë Kombëtare.
Një grup dypartiak senatorësh po negociojnë për javë të tëra për të miratuar ndryshimet në sistemin e imigracionit. Ky ndryshim është pjesë e projekt-ligjit të sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë që përfshin edhe 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën. Republikanët e Senatit thonë se nuk do të miratojnë ndihmën për Ukrainën derisa Shtetet e Bashkuara të garantojnë sigurinë kufitare.
“Si ka mundësi që nuk e dinë se si të sigurojnë kufirin jugor? Sekretari Mayorkas me siguri do të dalë para jush dhe do t'ju thotë se kufiri është i sigurt megjithëse ne e dimë që nuk është”, thotë Marsha Blackburn, Senatore Republikane.
Ndërsa udhëheqësi i pakicës në Senat, republikani Mitch McConnell e ka cilësuar situatën në kufi si “krizë”, ai gjithashtu ka kërkuar nga ligjvënësit që të merren edhe me kërcënimet ndërkombëtare të sigurisë.
“Kombi ynë po përballet me sfidat më serioze të sigurisë kombëtare që nga rënia e Bashkimit Sovjetik dhe përgjegjësia e Senatit për t'i trajtuar ato mbetet e paplotësuar”, thotë republikani Mitch McConnell, udhëheqës i pakicës në Senat.
Sipas Pentagonit ndihmat e fundit për Ukrainë u dërguan në fund të dhjetorit. Pothuajse 14 miliardë dollarë ndihma për Izraelin dhe financimi për të luftuar ndikimin kinez në Indo-Paqësor janë gjithashtu në pritje derisa të arrihet një marrëveshje për imigracionin.
“Miratimi i ndihmës do të jetë sinjali i Amerikës për botën se qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar”, thotë demokrati Chuck Schumer, udhëheqësi i shumicës në Senat.
Senati që kontrollohet nga shumica demokrate nuk ka gjasa të nisë një proces kundër Sekretarit Mayorkas nëse Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane miraton akuzat për shkarkimin e tij.