Informacioni i rremë dhe keqinformimi janë në krye të listës së rreziqeve globale për dy vitet e ardhshme. Raporti për Rreziqet Globale u bë publik në Londër të mërkurën në prag të takimit të përvitshëm të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku udhëheqësit e poltikës, biznesit dhe teknologjisë diskutojnë për sfidat madhore globale.
Saadia Zahidi, drejtoreshë menaxhuese e Forumit, thotë se perspektiva për të ardhmen duket pesimiste dhe radhit sfidat kryesore globale.
"Në harkun kohor dyvjeçar keqinformimi dhe dezinformimi përbëjnë rrezikun numër një, pasuar nga moti ekstrem, polarizimi shoqëror dhe konfliktet e armatosura", thotë ajo.
Sipas raportit, një nga faktorët kryesorë që kontribuojnë tek rrezikshmëria e lartë që paraqesin informacionet e rreme dhe keqinformimi, është Inteligjenca Artificiale.
Carolina Klint, shefja për Marrëdhëniet Tregëtare për Evropën e kompanisë Marsh McLennan, që analizon rreziqet globale, thotë se kompanitë janë të shqetësuara nga bumi i shërbimeve të Inteligjencës Artificiale si ChatGPT, për shkak të lehtësisë së përdorimit të tyre. Duke patur parasysh këtë...
"Nuk është për t’u habitur që keqinformimi dhe dezinformimi renditen si rreziku kryesor afatshkurtër. Ndikimi i mundshëm tek zgjedhjet në mbarë botën në dy vitet e ardhshme është domethënës dhe kjo mund të çojë në dyshime për legjitimitetin e qeverive të zgjedhura. Dhe kjo, nga ana tjetër, mund të kërcënojë, proceset demokratike, duke shkaktuar më shumë polarizim social, trazira apo edhe dhunë”, thotë ajo.
Por zonja Klint përmend edhe aspektet pozitive të Inteligjencës Artificiale.
“AI mund të përdoret për një kundërpërgjigje më efektive ndaj sulmeve kibernetike. Mund të përpunojë sasi të mëdha të dhënash, duke diktuar prirje që njerëzve mund t'u shpëtojnë si edhe mund të automatizojë shumë procese sigurie", tha ajo.
Megjithëse si rrezik afatshkurtër, moti ekstrem radhitet i dyti në raport, në parashikimet afatgjata për dhjetë vitet e ardhshme, ai cilësohet si kërcënimi numër 1, i pasuar nga katër rreziqe të tjera të lidhura me mjedisin: ndryshimi kritik në sistemet klimatike të Tokës; humbja e biodiversitetit dhe dobësimi i ekosistemit; si edhe mungesa e burimeve natyrore.
Një tjetër shqetësim janë pasojat e rreziqeve tek zinxhiri global i furnizimit, shton zonja Klint. Ajo përmend si shembuj sulmet e fundit në Kanalin e Suezit që lidh Detin e Kuq, ku militantët Houthi kanë vënë në shënjestër anijet ndërkombëtare si përgjigje ndaj luftës në Gazë, me Detin Mesdhe, si edhe mungesën e reshjeve në Kanalin e Panamasë.