Blinken kërkon reformë të Autoritetit Palestinez për Gazën e pasluftës, krijimin e shtetit palestinez

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken takoi Presidentin palestinez Mahmoud Abbas në Ramallah/AP

Në kuadër të vizitës në Lindje të Mesme, Sekretari amerikan i Shtetit
Antony Blinken takoi sot udhëheqësit palestinezë me të cilët bisedoi për reformat në Autoritetin Palestinez që qeveris Bregun Perëndimor, si pjesë të përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara të nxisin përkrahje rajonale për të ardhmen e Gazës, që përfshin hapa konkretë për krijimin e shtetit palestinez.

Your browser doesn’t support HTML5

Blinken kërkon reformë të Autoritetit Palestinez për Gazën e pasluftës


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i tha sot Presidentit palestinez
Mahmoud Abbas se ka siguruar përkushtimin e disa shteteve në rajon për të
ndihmuar me rindërtimin dhe qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës dhe se normalizimi ndërmjet vendeve arabe dhe Izraelit është i mundur vetëm nëse sigurohet një plan për krijimin e shtetit palestinez.

Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, Sekretari Blinken u ka thënë udhëheqësve palestinezë se Shtetet e Bashkuara përkrahin “hapat konkretë për krijimin e shtetit palestinez” dhe se gjatë bisedave në Bregun Perëndimor ai nxiti bashkëbiseduesit palestinezë të reformojnë qeverisjen e tyre në përgatitje për këtë etapë.

Me gjithë shtytjen për një plan për Gazën e pasluftës, plani amerikan përballet me pengesa serioze. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe qeveria e tij e kundërshtojnë krijimin e shtetit palestinez. Shumë palestinezë kundërshtojnë qeverisjen e Gazës nga Autoriteti Palestinez, i cili ndonëse i përkrahur nga Perëndimi, konsiderohet si autokratik dhe pa legjitimitet.

Vizita e Sekretarit Blinken në Ramallah u prit me protesta.

“Është turp të presin Blinken, njëri nga organizatorët e gjenocidit në Rripin e
Gazës. Ai po udhëheq luftën në Rripin e Gazës, ndaj njerëzve tanë. Njerëzit tanë në Gaza po vriten nga bombat amerikane. Është turp të pritet këtu,” thotë aktivisti palestinez Jamal Jumaa.

Sulmet izraelite në Gaza, të cilat llogaritet se kanë lënë 23,000 të vdekur, kanë vazhduar edhe të mërkurën. Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga Izraeli të ulë intensitetin e luftimeve, por jo armëpushim i tha Zërit të Amerikës zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby.

“Vazhdojmë të mbështesim pauzat humanitare, por jo një armëpushim të
përgjithshëm në këtë moment. Presidenti nuk ka ndryshuar aspak qëndrim,” deklaroi ai.

Lufta ndërmjet Izraelit dhe grupit militant Hamas, që qeveris Gazën, ka përçarë edhe votuesit amerikanë në këtë vit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara. Disa ditë më parë, gjatë një tubimi zgjedhor, Presidenti Biden u përball me protestues që kërkuan nga ai t’i bëjë trysni Izraelit për armëpushim.

Sipas profesores së marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit, Melani Cammet konflikti e ka vënë presidentin amerikan në pozitë të vështirë.

“Administrata amerikane dhe vet Presidenti Biden janë në një pozitë shumë të vështirë, ngaqë ende një pjesë e madhe e publikut amerikan mbështet fuqishëm aleancën ndërmjet Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara dhe për të çdo përpjekje për të mos e përkrahur Izraelin njëqind për qind, shihet si kërcënim ndaj kësaj aleance,” tha ajo.

Ndërkohë, në Egjipt të mërkurën filluan negociatat e reja për një shkëmbim të pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi me 7 tetor dhe të burgosurve palestinezëve që mbahen në burgjet e Izraelit.