Presidenti Ekuadorit thotë se vendi është nën “konflikt të brendshëm të armatosur”

  • VOA

Forcat e sigurisë patrullojnë pas shpërthimit të dhunës në kryeqytetin Quito, Ekuador.

Presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa tha të martën se vendi është mbërthyer nga një “konflikt i brendshëm i armatosur” ndërsa dhuna në vendin e Amerikës së Jugut sa vjen e shtohet.

Presidenti i bëri këto deklarata disa orë pas një grup personash me maska, i pajisur me armë dhe eksplozivë sulmoi një stacion televiziv shtetëror në qytetin port të Guajakilit, gjatë një transmetimi të drejpërdrejtë. Ata qëlluan me armë në studio.

Më vonë, policia mori nën kontroll stacionin televiziv dhe arrestoi 13 persona të armatosur të cilët u akuzuan për terrorizëm. Asnjë person nuk u lëndua.

Kriza në Ekuador nisi gjatë fundjaves me arratisjen nga burgu të Adolfo Macias, kreu i bandës së trafikut të drogës, Los Choneros. I njohur me pseudonimin “Fito”, personi më i kërkuar në Ekuador, u zhduk nga burgu i Guayas, ku po vuante një dënim 34 vjeçar.

Forcat e sigurisë patrullojnë pas shpëthimit të dhunë, në Quito, Ekuador, 9 janar, 2024.


Disa oficerë policie janë rrëmbyer ndërsa në gjithë vendin kanë shpërthyer bomba të shumta.

Të martën, autoritetet thanë se një bos tjetër i trafikut të drogës, Fabricio Colon Pico i grupit Los Lobos, ishte arratisur nga paraburgimi i policisë nga qyteti i Riobambas.

Ai është akuzuar për përfshirje në një skemë për vrasjen e prokurorit të përgjithshëm të vendit.

Ushtria qëndron para pallatit presidencial në Quito, Ekuador, 10 janar, 2024.


Të hënën, Presidenti Noboa shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për 60 ditë.

Ai gjithashtu shpalli më shumë se 20 banda të trafikut të drogës si organizata terroriste, të cilat do të jenë objektiv i ushtrisë së vendit.

Prej vitesh, Ekaudori është përfshirë nga dhuna.

Dikur një vend paqësor, tani ai është kthyer në një vend tranzit për kontrabandën e kokainës mes Amerikës së Jugut dhe të Veriut.

Peruja ka shpallur gjendjen e emergjencës përgjatë kufirit me Ekuadorin, ndërsa Brazili, Kili dhe Kolumbia kanë shprehur mbështetje për autoritetet ekuadoriane.

Kina mbylli ambasadën e saj në kryeqytetin e Ekuadorit, Kito, si edhe konsullatat në të gjithë vendin.