Pentagoni ka ofruar detaje të reja trajtimit të fshehtë në spital të Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin. Ai u operua për kancerin e prostatës në fund të dhjetorit, sipas Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, Sekretari Austin më 1 janar u dërgua urgjentisht në njësinë e kujdesit intensiv për shkak të komplikimeve nga operacioni, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk ishte njoftuar fare. Kjo ka nxitur disa ligjvënës republikanë të kërkojnë dorëheqjen e tij, ndonëse Pentagoni thotë se zoti Austin nuk ka në plan ta bëjë këtë.
Your browser doesn’t support HTML5
Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin mbetet i shtruar në spital pasi u dërgua me urgjencë në Qendrën Mjekësore Kombëtare Ushtarake Walter Reed më 1 janar për një infeksion pas operacionit për të trajtuar dhe kuruar kancerin e prostatës.
“Infeksioni i tij është pastruar. Gjendja e tij vazhdon të përmirësohet dhe ne parashikojmë një rikuperim të plotë, megjithëse ky mund të jetë një proces i ngadaltë”, tha gjeneralmajori Pat Ryder, zëdhënës i Pentagonit.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se zoti Austin nuk e njoftoi presidentin Biden për diagnostikimin me kancer deri të martën, më shumë se dy javë pas operacionit në dhjetor dhe tetë ditë pasi u dërgua me urgjencë në spital më 1 janar.
“Askush në Shtëpinë e Bardhë nuk e dinte se sekretari Austin kishte kancer në prostatë deri të martën në mëngjes”, tha zoti Kirby.
Sekretari Austin ia transferoi autoritetin zëvendësit të tij më 2 janar pa shpjegime, diçka që Pentagoni thotë se mund të ndodhë për një sërë arsyesh rutinë. Ekipi i zotit Austin nuk e njoftoi Presidentin Biden e as Zëvendës Sekretaren e Mbrojtjes, Kathleen Hicks për shtrimin në spital për tre ditë.
Pentagoni nuk e bëri të ditur publikun se zoti Austin ishte në spital për katër ditë.
“Ne e pranojmë se duhet të bëjmë një punë më të mirë për sa i përket afateve kohore dhe transparencës, veçanërisht kur bëhet fjalë për shëndetin e sekretarit dhe jemi të përkushtuar që të bëjmë një punë më të mirë herën tjetër”, thotë zëdhënësi i Pentagonit, Gjeneralmajor, Pat Ryder.
Disa ligjvënës republikanë tani po bëjnë thirrje për dorëheqjen e zotit Austin, por Pentagoni thotë se kjo nuk do të ndodh.
“Ai nuk e ka në plan të japë dorëheqjen”, thotë Gjeneralmajori Ryder.
Shtëpia e Bardhë njofton se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin gëzon besimin e plotë të presidentit.