Shkup, shkarkohen menaxherët e kompanisë për kontrollin e fluturimeve

  • Isak Ramadani

Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi sot që t’i rekomandojë Këshillit mbikqyrës të Agjencisë për kontrollin e fluturimeve që ta shkarkojë Fahredin Hamidin, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë dhe drejtorin tjetër Lube Stamenkovskin, pas një incidenti të ndodhur në mjediset e kompanisë pak ditë më parë.

Sulmi që ndodhi të enjten e kaluar u cilësua si vepër me rezikshmëri të lartë për sigurinë e sistemit ajror dhe pasagjerëve.

Your browser doesn’t support HTML5

Shkup, shkarkohen menaxherët e kompanisë për kontrollin e fluturimeve

Vendimi i së martës i qeverisë pasoi këmbënguljet e Sindikatës së kontrollorëve të fluturimit për dorëheqjen ose shkarkimin e menaxherëve pas sulmit të 4 janarit nga një punonjës i shoqëruar nga shtatë persona të tjerë të jashtëm kundër një kontrollori të fluturimeve, akt ky që ka mundur të rrezikojë sigurinë e udhëtarëve të një aeroplani që priste në ato çaste të ulej në aeroportin e Shkupit, sipas ekspertëve.

Sindikata e kontrollorëve të fluturimit kishte paralajmëruar se nga dita e mërkurë (10 janar) kontrollorët do të hidheshin në grevë të përgjithshme që do të shkaktonte pezullimin e të gjitha fluturimeve nga dhe në aeroportin e Shkupit, nëse qeveria nuk i shkarkonte drejtuesit e Agjencisë për kontrollin e fluturimeve, M-NAV (Macedonian Navigation).

Drejtuesi i sindikatës, Aleksandar Tasevski ka bërë të ditur se janë 70 kontrollorë, anëtarë të Sindikatës, të gatshëm për t’u hedhur në grevë.

Agjencia për kontrollin e fluturimeve M-NAV është në pronësi shtetërore, ndërsa rrogat mujore aty janë më të lartat se në çdo institucion tjetër. Qeveria propozoi fillimisht për drejtor të përgjithshëm Ilir Mehmedin, një përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim në vend të Fahredin Hamidit, po ashtu kuadër i partisë shqiptare më të madhe në pushtet, por pas pak e ndryshoi propozimin. Zoti Mehmedi, siç merret vesh, nuk i plotësonte kushtet për çka qeveria doli me propozim që Hekuran Hasani të drejtojë këtë kompani. Ndërkaq, Milan Koraç do të jetë drejtor i ri për çështjet sektoriale.

Ndërkohë që incidenti i 4 janarit në kullën e vrojtimit në aeroportin e Shkupit u dënua nga të gjitha partitë kryesore në Maqedoninë e Veriut dhe u cilësua si akt i rrezikshëm ndaj sistemit ajror të vendit, BDI-ja tha se ngjarja kishte ndodhur midis dy kolegëve të punës dhe nuk duhej kërkuar prapavijë politike në këtë rast.

Bekim Neziri, i cili udhëhoqi sulmin, punonjës në Agjencinë e kontrollit të fluturimeve, është kryetar i degës së BDI-së në Çair të Shkupit. Ai ka qenë dhe ministër i Ekonomisë. Prokuroria Publike në Shkup ka kërkuar arrestimin e tij dhe të shtatë sulmuesve të tjerë, katër prej të cilëve janë arratisur, por Gjykata Penale vendosi masën e kujdesit ndaj tyre. Prokuroria ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin.

Përplasjet në Agjencinë M-NAV u thelluan pas një konkursi për pranimin e punonjësve të rinj, për çka Sindikata thotë se janë pranuar individë me lidhje politike dhe pa përmbushur kriteret e duhura profesionale, ndërsa menaxherët në largim i kanë hedhur poshtë akuzat.

Po sot policia financiare ka hyrë në kompaninë M-NAV për të hetuar parregullsitë që kanë të bëjnë me njoftimet nga brenda kompanisë për tendera të paligjshëm.