Gabriel Attal kryeministri i ri i Francës

Kryeministri i ri i Francës, Gabriel Attal

Emmanuel Macron emëroi ministrin 34-vjeçar të Arsimit Gabriel Attal si kryeministrin e tij të ri të martën, ndërsa presidenti francez kërkon t'i japë frymë të re mandatit të tij të dytë përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Vendimi nuk bën domosdoshmërisht ndonjë ndryshim të madh politik, por sinjalizon se Presidenti Macron po përpiqet të lëvizë përtej reformave të pensioneve dhe imigracionit të vitit të kaluar që nxitën protesta masive dhe të përmirësojë mundësitë e partisë së tij të qendrës në zgjedhjet e Bashkimit Evropian që do të mbahen në muajin qershor.

Sondazhet tregojnë se partia e zotit Macron renditet tetë deri në dhjetë për qind më poshtë se partia e udhëheqëses së ekstremit të djathtë Marine Le Pen.

Zoti Attal, aleat i ngushtë i Presidentit Macron, i cili u bë një emër i njohur si zëdhënës i qeverisë gjatë pandemisë, do të zëvendësojë kryeministren në largim Elisabeth Borne.

Një nga politikanët më të njohur të vendit në sondazhet e fundit, zoti Attal ka bërë emër si një ministër i zgjuar dhe i qetë në emisionet radiofonike dhe në parlament.

Ai do të jetë kryeministri më i ri i Francës dhe i pari që e ka treguar publikisht se është pjesë e komunitetit LGBTI+.

“Gabriel Attal është paksa si zoti Macron i vitit 2017”, tha deputeti Patrick Vignal, duke iu referuar pikës në të cilën presidenti mori për herë të parë detyrën si udhëheqësi më i ri në historinë moderne franceze, në atë kohë një figurë popullore mes votuesve.

Zoti Vignal, i cili i përket partisë së Rilindjes të Presidentit Macron dhe u takua për herë të parë me zotin Attal para 10 vjetësh, shtoi se ministri i arsimit “ka autoritet”.

Kryeministri i ri Attal dhe Presidenti Macron do të kishin një moshë të kombinuar pak më të ulët se ajo e Presidentit Joe Biden, i cili po kandidon për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Macron është përballur me një parlament më të trazuar që kur humbi shumicën e tij absolute menjëherë pasi u rizgjodh më 2022.

“Dyshja Macron-Attal mund t'i sjellë një jetë të re qeverisë”, thotë Jean-Daniel Levy, ekspert i kompanisë së sondazheve ‘Harris Interactive’.

Por udhëheqësit e opozitës nxituan të thonë se nuk prisnin shumë nga ndryshimi i kryeministrit, pasi sipas tyre është vetë Presidenti Macron ai që merr pjesën më të madhe të vendimeve.