Vdes në moshën 78-vjeçare legenda e futbollit gjerman, Beckenbauer

Franc Beckenbauer, një nga futbollistët më të mëdhenj të Gjermanisë, vdiq në moshën 78-vjeçare, njoftoi të hënën agjencia gjermane e lajmeve DPA. Beckenbauer ishte kapiten i skuadrës, kur kombëtarja gjermane fitoi Kupën e Botës në vitin 1974 dhe më pas kur fitoi kupën e botës përsëri, këtë herë si trajner në vitin 1990. Franc Beckenbauer ishte një nga lojtarët më të mirë të Gjermaninë Perëndimore dhe ekipit të Bajern të Mynihut në vitet 1960 dhe ‘70.


Ai mori pjesë në 103 ndeshje me ekipin kombëtar të Gjermanisë Perëndimore, duke fituar kampionatin evropian të vitit 1972 dhe më pas Kupën e Botës, 1974, që u zhvillua në Gjermani, pasi kishte humbur më parë në finale ndaj Anglisë më 1966.

Skuadra e tij Bajern i Mynihut ishte klubi më i mirë në botë gjatë mesit të viteve 1970, duke fituar tre Kupa Evropiane të njëpasnjëshme dhe tre tituj të njëpasnjëshëm të Ligës gjermane të Futbollit, ‘Bundesliga’. Ai u shpall dy herë futbollist i vitit në Evropë.

Si menaxher i ekipit kombëtar, ekipi i tij i Gjermanisë Perëndimore humbi në finalen e Kupës së Botës më 1986 ndaj Argjentinës, por fitoi katër vjet më vonë në Itali me ekipin e Gjermanisë së bashkuar.

Beckenbauer, i mbiquajtur ‘Der Kaiser’ apo Mbreti i Futbollit, ishte një nga tre personat që kanë fituar Kupën e Botës si lojtar dhe trajner. Ai vdiq vetëm tre ditë pas personit të parit që e arriti këtë, Mario Zagallo të Brazilit. Didier Deschamps i Francës është personi i tretë që ka fituar Kupën e Botës si lojtar dhe trajner.

Pas largimit nga futbolli si lojtar dhe trajner, Beckenbauer kaloi në Federatën e Futbollit, por në vitin 2016 ai u gjobit nga komiteti i etikës të FIFA-s pasi nuk bashkëpunoi me një hetim mbi korrupsionin lidhur me dhënien e Kupave të Botës në vitet 2018 dhe 2022.