Presidenti Joe Biden nuk ka në plan të shkarkojë Sekretarin e Mbrotjes Lloyd Austin për shkak të mbajtjes sekret të shtrimit të tij në spital, tha të hënën Shtëpia e Bardhë, në një kohë që drejtues të lartë republikanë po bëjnë thirrje për largimin e tij nga detyra.
Zoti Austin, i cili për nga hirearkia, është pas Presidentit Biden, në zinxhirin komandues të ushtrisë amerikane, e mbajti sekret për ditë të tëra si për Presidentin edhe për publikun, faktin që u vu nën kujdes mjekësor në 1 janar.
“Nuk ka asnjë plan tjetër, përveç se Sekretari Austin të vazhdojë të jetë në këtë detyrë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Kirby.
Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajor Patrick Ryder tha se në "asnjë moment siguria kombëtare nuk ishte në rrezik" për shkak të shtrimit në spital të zotit Austin, megjithëse detyrat e tij iu transferuan Nënsekretares së Mbrojtjes Kathleen Hicks gjatë një pjese të kohës kur zoti Austin ishte i shtruar në spital.
Zëdhënësi tha se zoti Austin "nuk ka plane të japë dorëheqjen".
"Ai vazhdon të jetë i përqëndruar në kryerjen e detyrave të tij si Sekretar i Mbrojtjes", tha zëdhënëdi Ryder dhe po merr raporte operacionale dhe të zbulimit.
Zëdhënësi Kirby tha se zoti Austin nuk është më në njësinë e kujdesit intensiv, por është ende në Qendrën Mjekësore Ushtarake “Walter Reed” në një zonë më private të spitalit. Zoti Ryder tha se shefi i mbrojtjes "vazhdon të disa shqetësime mjekësore, por prognoza e tij është e mirë".
Pentagoni nuk pranoi të zbulonte detaje nga ndërhyrja mjekësore, të cilës iu nënshtrua zoti Austin.
Për ditë të tëra, 70-vjeçari Austin nuk njoftoi Presidentin Biden dhe nuk udhëzoi Pentagonin që të lëshonte një njoftim mbi shtrimin e tij në spital, një praktikë e zakonshme për udhëheqësit e nivelit më të lartë të qeverisë amerikane.
Zoti Austin tha përmes një deklarate të shtunën se ai merr "përgjegjësinë e plotë" për mbajtjen në fshehtësi të shtrimit të tij në spital.
Por republikanët, duke përfshirë ish-presidentin Donald Trump, kandidat për president, i cili me shumë gjasë do të përballet me Presidentin Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, bënë thirrje për shkarkimin e Sekretarit Austin.
Zoti Austin duhet të shkarkohet për "sjelljen e tij jo profesionale dhe mospërfillje të detyrës", tha zoti Trump.
“Ai ishte zhdukur për një javë dhe askush, duke përfshirë shefin e tij, Joe Biden, nuk kishte asnjë të dhënë se ku ishte, apo ku mund të ishte”, shkroi Trump në platformën “Truth Social”.
Edhe ligjvënësja republikane Elise Stefanik bëri thirrje për shkarkimin e Sekretarit Austin, duke thënë në një deklaratë se, "Duhet të ketë përgjegjësi të plotë duke filluar me dorëheqjen e menjëhershme të Sekretarit Austin dhe atyre që gënjejnë për të dhe një hetim të Kongresit për këtë shpërdorim të rrezikshëm të detyrës".
Zyrtarët zbuluan të dielën se shtrimi në spital i Sekretarit Austin u mbajt shumë më sekret sesa dihej më parë, duke përfshirë Nënsekretaren e mbrojtjes Hicks, e cila nuk e dinte arsyen e mungesës së shefit të saj. Sekretari Austin është i detyurar të jetë në komunkim në çdo moment për t'iu përgjigjur çdo krize ushtarake ose të sigurisë kombëtare.
Zoti Kirby tha se nuk kishte informacion mbi natyrën e çështjes mjekësore të zotit Austin, por se Presidenti Biden dhe Sekretari Austin kishin biseduar në ditët e fundit.
Zëdhënësi Kirby tha se Shtëpia e Bardhë do të shqyrtojë se cilat rregulla apo procedura nuk u ndoqën kur Austin u shtrua në spital dhe nuk bëri asnjë njoftim lidhur me këtë veprim.
"Ne do të shqyrtojmë rregullat dhe procedurat për këtë çështje dhe do të përpiqemi të mësojmë nga kjo përvojë", tha ai.