Institucionet gjyqësore në Malin e Zi ende nuk i kanë hetuar dhe dokumentuar krimet e luftës të ndodhura gjatë viteve '90, tha ish-Drejtori i Komitetit malazez të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, Velija Muriç.
Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, zoti Muriç vuri në dukje se përgjegjësia për krimet e luftës nuk është vendosur në përputhje me standardet ndërkombëtare duke marrë si shembull vrasjen e civilëve të pafajshëm shqiptarë në Komunën e Rozhajës.
“Në Komunën e Rozhajës janë vrarë 22 civil shqiptarë për të cilën ngjarje janë zhvilluar procese gjyqësore ndaj disa personave ushtarak, por të cilët në fund u liruan si të pafajshëm,” tha zoti Muriç.
Zoti Muriç vlerëson se Malit të Zi i duhet një qasje më aktive për hetimin, ndjekjen penale, gjykimin dhe ndëshkimin e krimeve gjatë luftës.
“Mali i Zi dhe institucionet gjyqësore heshtin dhe nuk besoj që në një të ardhme për krimet e përmendura do të rihapen hetimet dhe procedurat e reja,” tha zoti Muriç.
Ai rikujtoi me dhjetëra vendbanime në Mal të Zi ku u dëbuan, u torturuan dhe u vranë boshnjakët, kroatët, myslimanët dhe shqiptarët vetëm për faktin se i përkisnin një etnie tjetër.
“Duke parë neglizhencën e gjyqësorit, Mali i Zi është shndërruar në një oazë për personat që kanë kryer krime lufte dhe të cilët në këtë vend lëvizin lirshëm,” tha zoti Muriç.
Ai shtoi në fund, se Mali i Zi duhet të ballafaqohet me të kaluarën në mënyrë që të krijohen parakushtet për pajtim dhe shërim të komuniteteve në vend dhe rajon.