Biden e nis fushatën me kritika të ashpra ndaj republikanit Donald Trump

Election 2024 Capitol Riot Politics

Duke u përqendruar në kërcënimin, që ai thotë se ish Presidenti Donald Trump paraqet për demokracinë amerikane, Presidenti Joe Biden filloi fushatën e tij për një mandat të dytë në zgjedhjet e nëntorit. Presidenti Biden premtoi se do ta bënte mbrojtjen e sistemit demokratik të vendit temë qendrore të fushatës së tij presidenciale.

Your browser doesn’t support HTML5

Biden e nis fushatën me kritika të ashpra ndaj republikanit Donald Trump


Sulmi i mbështetësve të ish Presidentit Trump ndaj Kapitolit, që kishte për qëllim të pengonte certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden, ka ndodhur më 6 janar të vitit 2021, por Presidenti Biden do që amerikanët ta kujtojnë atë.

“Grupi i mbështetësve të zotit Trump nuk bëri një protestë paqësore por një sulm të dhunshëm”, tha Presidenti Biden.

Zoti Biden, të premten paralajmëroi se përpjekja e ish Presidentit Trump për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, përbën një kërcënim i madh për vendin.

“Zoti Trump nuk do të bëjë atë që një president amerikan duhet të bëjë. Ai nuk dënon dhunën politike. Më dëgjoni qartë. Unë do të them atë që Donald Trump nuk e thotë. Dhuna politike nuk është kurrë e pranueshme në sistemin politik të Shteteve të Bashkuara. Ajo nuk ka vend në një demokraci”, tha ai.

Duke e quajtur demokracinë një kauzë të shenjtë dhe duke premtuar se do ta mbrojë atë, Presidenti Biden e filloi fushatën me kritikat më të ashpra ndaj ish Presidentit Trump deri më tani, i cili , sipas të gjitha gjasave, do të jetë rivali i tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Ndërkohë, zoti Trump mbajti një tubim fushate në Ajova.

“Biden vazhdimisht është treguar i dobët, jo kompetent, i korruptuar dhe dështak. Kjo është një listë interesante, apo jo? Për këtë arsye ai po fillon fushatën e tij patetike të mbjelljes së frikës sot në Pensilvani”, tha ish Presidenti Trump.

Sulmet ndaj zotit Trump janë fillimi i një faze të re të fushatës së zotit Biden.

Përqendrimi në përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe kërcënimi ndaj demokracisë, mund të jenë thelbësore në përpjekjet e fushatës së zotit Biden për të bindur amerikanët të votojnë për atë ndërsa ai po përballet me rezultat jo të mira të anketimeve.

“Komentet e tij tregojnë se Biden është i gatshëm të bëjë gjithçka për të larguar vëmendjen nga fakti se Shtetet e Bashkuara po përballen me nivelin më të lartë të inflacionit në histori, se e ka çuar vendin në prag të luftës së tretë botërore, dhe nën udhëheqjen e tij në tre vitet e fundit kufiri jugor ka rënë në gjendje të rëndë”, tha këshilltarja e fushatës së zotit Trump, Lynne Patton.

Ndërsa Presidenti Biden po mbante fjalimin, fushata e zotit Trump tha se zoti Biden është kërcënimi më i madh ndaj demokracisë dhe po e përdor sistemin amerikan të drejtësisë si armë politike kundër rivalit të tij kryesor.

Zoti Trump përballet me 91 akuza kriminale, përfshirë atë të përpjekjes për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të ngritur nga shteti Xhorxhias dhe qeveria federale.

Ai i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe ka një epërsi të madhe ndaj rivalëve republikanë. Ai ka thënë sinjale se do të përdor qeverinë federale ndaj kundërshtarëve të tij politikë, nëse i fiton zgjedhjet, duke shkaktuar shqetësime mbi trajektoren e demokracisë amerikane.

“Ka rreziqe reale, që kërkojnë vëmendje dhe mendoj se zoti Biden po përpiqet ta bëjë këtë në fazat e hershme të fushatës së tij”, thotë William Howell nga Universiteti i Çikagos.

Gjykata e Lartë të premten vendosi të shqyrtojë apelin ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë të shtetit të Kolorados për të hequr zotin Trump nga fleta e votimit në zgjedhjet paraprake të republikanëve për shkak të rolit të tij në sulmin ndaj Kapitolit. Edhe Meini ka ndaluar pjesëmarrjen e zotit Trump në zgjedhjet paraprake të këtij shteti për shkak të veprimeve të tij pas zgjedhjeve të vitit 2020.