Qeveria e Kosovës njoftoi të enjten në mbrëmje se miratoi vendimin për largimin e regjimit të letër ngjitëseve për makinat me targa të Serbisë, vetëm pak ditë pasi Serbi mori vendimin e ngjashëm për makinat me targa të Kosovës. Kësisoj duket se iu dha fund një çështjeje që çoi në tensione të larta ndërmjet të dyja vendeve.
Në një njoftim të qeverisë së Kosovës thuhet se “heqja e regjimit të letër ngjitëseve është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.
Me 25 dhjetor Beogradi vendosi të lejojë lëvizjen e makinave me targa të Kosovës duke vendosur afishe në vendkalimet kufitare në të cilat thuhet se mundësimi i kalimit të kufirit me targa RKS bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së "Kosovës".
Lexoni edhe këtë Serbia nga një janari lejon lëvizjen e makinave me targat e Kosovës në territorin e sajMarrëveshja fillestare për përdorimin e targave të makinave ishte arritur ne fund të viti 2011, por zbatimi i saj në terren u pamundësua për shkak të mospajtimeve, meqë Beogradi nuk pajtohej me targat e Kosovës me mbishkrimin RKS.
Mbulimi i simboleve të Serbisë dhe të Kosovës në targat e makinave ishte pjesë e një marrëveshjeje të përkohshme të arritur më 30 shtator të vitit 2021 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pas tensioneve në veriun e Kosovës që pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë që të mos lejojë lëvizjen e makinave me targa të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës.
Përplasjet rreth targave çuan në largimin e përfaqësuesve serbë në veri nga të gjitha institucionet e Kosovës, dhe thellimin e tensioneve që kulmuan me 24 shtator kur një polic u vra në një sulm të organizuar nga një grup serbësh të armatosur në veri.
Diplomatët perëndimorë u vunë në përpjekje të reja pas atij sulmi për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon.
Prishtinës i kërkohet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradit të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.
Beogradi ka theksuar se nuk do të zbatojë asgjë që çon në njohjen e Kosovës, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se vendimi për lëvizjen e lirë të makinave me targa RKS nëpër Serbi “ka shmangur gracka dhe rreziqe të mëdha” për Serbinë.