Publikimi i një numri dokumentesh gjyqësore, më parë sekrete në lidhje me milionerin Jeffrey Epstein, që vrau veten në 2019 ndërsa priste gjyqin mbi akuzat për trafikim seksual, kthejnë në kujtesë se si ai shfrytëzonte lidhjet me njerëz të pasur, të fuqishëm dhe të famshëm për të rekrutuar viktimat e tij dhe për të mbuluar krimet.
Në më shumë se 40 dokumente të publikuara të mërkurën vonë, përmendeshin emrat të famshëm dhe politikanë që u shoqëruan me Jeffrey Epsteinin ose punuan me të, përpara se ai të akuzohej publikisht, gati dy dekada më parë se kishte paguar vajzat e mitura për seks.
Shumica e këtyre emrave ishin të njohur për këdo që e ka ndjekur nga afër skandalin, duke përfshirë gjyqin ndaj Ghislaine Maxwell, e cila ishte e dashura e Jeffrey Epsteinit dhe rekrutuesja kryesore e vajzave të reja dhe të pambrojtura. Maxwell, 62 vjeçe, u dënua për akuzat për trafik seksual dhe po vuan një dënim me 20 vjet burg.
Afro 250 dokumentet që pritet të bëhen publike, duke filluar nga kjo javë, kryesisht përsëritin atë që dihej prej kohësh, historinë e një burri që arriti qarqet elitare derisa pas arrestimit për trafik seksual në korrik 2019, mbeti vetëm dhe vrau veten në qelinë e burgut.
Por dokumentet përfshinë disa detaje të reja rreth një piramide abuzimi në tre dekada, që dëmtoi dhjetëra vajza të reja.
Ndër njerëzit e famshëm në rrethin e milionerin Epstein para akuzave, ishin ish-presidentët Donald Trump dhe Bill Clinton, këngëtari Michael Jackson dhe prestigjiatori David Copperfield, sipas rrëfimeve të viktimave të tij dhe dëshmitarëve të tjerë të cituar në dokumentet e sapo publikuara. Asnjë nga emrat e sipër përmenduar nuk është akuzur për ndonjë shkelje.
Pati përsëritje të historive tashmë të njohura për Princin Andrew të Britanisë. Ai u padit nga një nga viktimat e milionerit Epstein, Virginia Giuffre e cila tha se kishte patur takime seksuale me Princin, kur ajo ishte në moshën 17 vjeçare. Princi, i cili ka mohuar akuzat, arriti një marrëveshje për të zgjidhur padinë nga Virginia Giuffre, në vitin 2022.
Princi Andrew ka hedhur poshtë akuzat se ai e detyroi zonjën Giuffre të kryente marrëdhënie seksuale me të më shumë se dy dekada më parë në shtëpinë në Londër të bashkëpunëtores së zotit Epstein, Ghislaine Maxwell, në shtëpinë e zotit Epstein në Manhattan dhe në një ishull privat të zotit Epstein në Ishujt e Virgjër të Shteteve të Bashkuara.
Ndër dokumentet më interesante të publikuara të mërkurën ishte dëshmia e Johanna Sjoberg, e cila punonte si masazhatore në shtëpinë e milionerit. Ajo tha se kishte takuar një herë këngëtarin Michael Jackson në shtëpinë e milionerit Epstein, në Palm Beach, në Florida, por se asgjë e pakëndshme nuk ndodhi me yllin e ndjerë të muzikës pop.
Ajo gjithashtu tha se në një udhëtim në prilli 2001, në Nju Jork, Princi Andrew i preku gjoksin ndërsa pozonin për një fotografi.
Zoti Clinton ka deklaruar më parë përmes një zëdhënësi se megjithëse kishte udhëtuar disa herë me avionin e milionerit Epstein nuk kishte vizituar kurrë shtëpitë e tij dhe nuk ishte në dijeni të krimeve. Zoti Trump ka thënë se dikur mendonte se milioneri Epstein ishte një “djalë i mrekullueshëm”, por më vonë ata patën një mosmarrëveshje.
Johanna Sjoberg dëshmoi gjithashtu se në një rast ajo shkoi në një darkë në një nga shtëpitë e Epsteinit, ku ishte i pranishëm dhe magjistari David Copperfield.
Ajo tha se Copperfield bëri truke magjie përpara se ta pyeste nëse ishte në dijeni “që vajzat paguheshin për të gjetur vajza të tjera”. Një nga akuzat kundër milionerit Epstein dhe ish të dashurës së tij Maxwell ishte se, disa vajza që ai i pagoi për akte seksuale, më vonë rekrutuan viktima të tjera. Një publicist i zotit Copperfield nuk iu përgjigj një emaili të agjencisë Associated Press për një koment.