Borrell: Bota duhet të imponojë një zgjidhje për konfliktin në Gazë

Josep Borrell

LISBONË – Komuniteti ndërkombëtar duhet të imponojë një zgjidhje për konfliktin Izrael-Hamas, në kushtet kur palët ndërluftuese nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët, tha të mërkurën shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Mendoj se kemi mësuar gjatë këtyre 30 viteve se zgjidhja duhet të imponohet nga jashtë, pasi palët nuk do të munden ndonjëherë të arrijnë në një marrëveshje”, tha ai gjatë një aktiviteti në Lisbonë, duke paralajmëruar gjithashtu se “nëse kjo tragjedi nuk përfundon së shpejti, e gjithë Lindja e Mesme mund të përfundojë në flakë”.

Lufta u ndje deri në Liban të martën me vrasjen në Bejrut të zëvendës drejtuesit të Hamasit, Saleh al-Arouri, me një sulm me dron. Izraeli nuk ka konfirmuar, apo mohuar, autorësinë.

Vrasja është një tjetër shenjë se lufta tremujore mes Izraelit dhe Hamasit po përhapet në rajon, duke tërhequr në konflikt Bregun e pushtuar Perëndimor, forcat e Hezbollahut në kufirin Liban-Izrael, madje edhe linjat e transportit detar në Detin e Kuq.

“Ajo që ndodhi dje me vdekjen e një prej udhëheqësve të Hamasit është një tjetër faktor që mund ta shtyjë konfliktin drejt përshkallëzimit”, tha zoti Borrell, duke shtuar se ka në plan të vizitojë Lindjen e Mesme, përfshirë Libanin, për të “eksploruar mënyrat e daljes” nga konflikti.

Zoti Borrell gjithashtu tha se do t’u paraqesë vendeve anëtare të BE-së propozimin për të krijuar një mision që do të kontribuonte për sigurinë në Detin e Kuq. Propozimi pritet të paraqitet të enjten dhe duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare, tha ai.