Mijëra gra po grumbullojnë ilaçe për abort, rezervë, për t’i përdorur në rast se do t’u duhen, tregon një hulumtimi i ri. Ky zhvillim vjen ndërsa kërkesa për to ka arritur kulmin në dy vitet e fundit, kur duket se qasja ndaj këtyre ilaçeve, do bëhet edhe më e vështirë.
Më shumë se gjysma e të gjithë aborteve në SHBA, bëhet përmes përdorimit të ilaçeve, që zakonisht përfshin dy pilula: mifepristonin dhe misoprostolin.
Një hulumtim i botuar të martën në gazetën mujore amerikane JAMA Internal Medicine, shqyrtoi kërkesat për këto pilula nga gra joshtatzënë e që i kishin kërkuar ato përmes ‘Aid Access’, (Qasje tek Ndihma) një shërbim evropian i telemjekësisë në internet, që lëshon receta për përdorim të këtyre pilulave në ardhmen dhe në mënyrë të menjëhershme.
Nga shtatori 2021 deri në prill 2023, ky shërbim, mori 48,400 kërkesa nga gjithë Shtetet e Bashkuara.
Sipas hulumtimit, kërkesat u rritën menjëherë pasi në maj 2022, rrodhi lajmi se Gjykata e Lartë do të shfuqizonte vendimin e njohur si ‘Roe kundër Wade’, i cili i garantonte mbrotje kushtetuese të drejtës për abort.
Gjykata e njoftoi zyrtarisht vendimin në muajin qershor të po atij viti.
Në nivel kombëtar, numri mesatar i kërkesave ditore u rrit gati dhjetëfish, nga rreth 25 në tetë muajt para se të dilte lajmi, në 247 pas tij.
“Njerëzit po shohin kërcënime të mundshme ndaj të drejtës për riprodhim dhe mendojnë se si mund të përgatiten për këtë, apo si mund t’i paraprijnë një situate të tillë,” tha Abigail Aiken, një profesoreshë e asociuar në Universitetin e Teksasit, në qytetin Austin dhe një nga autoret e hulumtimit.
Kërkesat ditore ranë në 89 në shkallë kombëtare pas vendimit të Gjykatës së Lartë, tregon hulumtimi, më pas u rritën në 172 në prill 2023 kur pati vendime gjyqësore kontradiktore në lidhje me miratimin e ilaçit të abortit, mifepriston.
Këtë vit, pritet të Gjykata e Lartë të shprehet me vendim mbi kufizimet e qasjes ndaj këtij ilaçi.
Bashkautorja tjetër e hulumtimit, Rebecca Gomperts nga Amsterdami, drejtore e Aid Access, tha se rritja e kërkesave pasqyron rritjen e ndërgjegjësimit publik, në një kohë pasigurie.
Studimi është një dëshmi e pabarazisë që egziston në raport me qasjen tek pilulat.
Përqindja më e madhe e atyre që kërkonin këto pilula ishin të paktën 30 vjeç, të bardhë, nuk kishin fëmijë dhe jetonin në zona urbane dhe rajone me më pak varfëri.
Njerëzit që përballen me pengesa më të mëdha për abort nuk kanë qasje tek këto pilula, tha Daniel Grossman, mjek obstetër-gjinekolog në Universitetin e Kalifornisë, në San Francisko, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim.
“Nuk është çudi që disa njerëz do donin t’i kishin ndër duar këto ilaçe nëse do t’u nevojiteshin, në vend që të udhëtonin në një shtet tjetër apo t’i siguronin ato përmes internetit, në rast shtatzënie“, tha ai.
Sipas profesoreshë Abigail Aiken, kohët e fundit, një sërë organizatash kanë mundësuar ilaçe aborti.