Udhëheqësi i opozitës në Korenë e Jugut goditet me thikë

Udhëheqësi i opozitës në Korenë e Jugut, Lee Jae-myung, u godit me thikë në qafë të martën nga një burrë, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur. Dyshohet se ai u përpoq ta vriste politikanin liberal ndërsa ai po vizitonte qytetin juglindor të Busanit, njoftoi policia.

Zoti Lee, 59 vjeç, kreu i Partisë Demokratike kryesore të opozitës, u transportua me helikopter në një spital të Seulit pasi mori trajtim urgjent në Busan. Partia e zotit Lee më vonë tha se ai po shërohej në një njësi të kujdesit intensiv në Spitalin Universitar Kombëtar të Seulit pas një operacioni dy-orësh.

Sulmi ndodhi ndërsa zoti Lee kaloi nëpër një turmë gazetarësh dhe personash të tjerë pasi vizitoi zonën e propozuar për ndërtimin e një aeroporti të ri në Busan. Sulmuesi iu afrua politikanit opozitar, duke thënë se donte autografin e tij, më pas e goditi me thikë në anën e majtë të qafës, tha oficeri i lartë i policisë në Busan, Sohn Jae-han gjatë një konference shtypi.

Zoti Sohn tha se zyrtarët e Partisë Demokratike e kapën shpejt sulmuesin përpara se oficerët e policisë ta ndalonin atë.

Pamjet televizive e shfaqën zotin Lee të shtrirë në tokë me sytë e mbyllur, ndërsa një person po mbante një shami në qafën e tij. Dëshmitari i ngjarjes, Jin Jeong-hwa, tha për televizionin YTN se zoti Lee kishte gjakderdhje të madhe.

Imazhet që qarkulluan në rrjetet sociale treguan të dyshuarin, duke mbajtur një kurorë prej letre ku shkruhej “Unë jam Lee Jae-myung”, që vlerësohet se ishte përpjekje për t'u paraqitur si mbështetës i politikanit.

Zoti Sohn tha se i dyshuari, rreth 67 vjeç, u tha hetuesve se e kishte blerë thikën 18 centimetra në internet. Ai tha se policia po heton motivin e sulmit.

Zyrtarë të tjerë konfirmuan për agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’ se policia pritet të kërkojë që i dyshuari të arrestohet zyrtarisht me dyshimin për përpjekje për vrasje sepse ai u tha hetuesve se kishte për qëllim të vriste zotin Lee.

Partia Demokratike e quajti incidentin “një sulm terrorist ndaj zotit Lee dhe një kërcënim serioz ndaj demokracisë”. Partia i bëri thirrje policisë që të bëjë një hetim të plotë dhe të shpejtë.

Në Spitalin Kombëtar Universitar të Seulit, zëdhënësi i partisë Kwon Chil-seung tha se për shkak të rregullave të privatësisë, zyra për marrëdhëniet me publikun e spitalit refuzoi të zbulonte raportin e plotë mbi gjendjen shëndetësore të politikanit opozitar të Koresë së Jugut.

Policia dhe zyrtarët e emergjencës thanë më herët se zoti Lee ishte i vetëdijshëm pas sulmit dhe nuk ishte në gjendje kritike.

Presidenti Yoon Suk Yeol shprehu shqetësim të thellë për shëndetin e udhëheqësit opozitar dhe urdhëroi autoritetet të hetojnë sulmin, duke thënë se një dhunë e tillë nuk do të tolerohej, sipas zyrës së Presidentit Yoon.

Zoti Lee humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, duke marrë 0.7 për qind vota më pak se Presidenti Yoon me 0.7. Kjo është epërsia më e ngushtë e regjistruar në zgjedhjet presidenciale të Koresë së Jugut e një kandidati fitues.

Sondazhet e fundit treguan se zoti Lee dhe rivali i tij kryesor konservator Han Dong-hoon, ish-ministër i drejtësisë, janë dy favoritët e hershëm për të pasuar zotin Yoon si president pas mbarimit të mandatit të tij pesëvjeçar më 2027.

Që nga humbja e tij, zoti Lee ka qenë një kritik i ashpër i politikave kryesore të Presidentit Yoon. Vitin e kaluar, zoti Lee mbajti një grevë urie 24-ditore për të protestuar ndaj asaj që ai e quajti dështim të Presidentit Yoon për të kundërshtuar lëshimin e ujërave të zeza radioaktive nga impianti i dëmtuar japonez bërthamor ‘Fukushima’. Zoti Lee gjithashtu kundërshtoi trajtimin që Presidenti i bëri ekonomisë pas periudhës së pandemisë dhe politikat e tij të vijës së ashpër në raport me Korenë e Veriut.

Zoti Lee përballet me një mori akuzash për korrupsion, përfshirë dyshimin se ai i ofroi favore të paligjshme një investitori privat i cili arriti të sigurojë përfitime të mëdha nga një projekt i dyshimtë strehimi në qytetin Seongnam. Zoti Lee ishte kryetar bashkie i këtij qyteti për një dhjetëvjeçar, deri në vitin 2018. Zoti Lee ka mohuar akuzat dhe ka akuzuar qeverinë e zotit Yoon për hakmarrje politike.

Shtatorin e kaluar, një gjykatë rrëzoi një urdhër arresti kundër zotit Lee lidhur me akuzat, por prokuroria po vazhdon hetimet kundër tij. Seanca gjyqësore u organizua pasi parlamenti i kontrolluar nga opozita votoi për heqjen e imunitetit të zotit Lee gjë që çoi deri te arrestimi i tij. Ky veprim pasqyron ndarjet në rritje brenda Partisë së tij Demokratike për problemet ligjore të zotit Lee.

Mbështetësit e tij e shohin atë si një hero kundër elitave, i cili do të zhdukë korrupsionin dhe të zgjidhë problemin e pabarazisë ekonomike në rritje. Kritikët e shohin atë si një populist që mbështetet në nxitjen e ndasive dhe djallëzimin e kundërshtarëve të tij konservatorë.

Në Korenë e Jugut, ndër vite, ka pasur edhe raste të tjera të dhunës kundër figurave të larta politike.

Në mars të vitit 2022, Song Young-gil, në atë kohë udhëheqës i Partisë Demokratike, u sulmua nga një burrë që mbante një çekiç gjatë një tubimi zgjedhor për zotin Lee përpara votimit në zgjedhjet presidenciale. Zoti Song pati nevojë për trajtim mjekësor, por nuk ishte në rrezik për jetën.

Në vitin 2015, Ambasadori i atëhershëm amerikan në Seul, Mark Lippert u pre në fytyrë dhe krah nga një aktivist antiamerikan.

Në vitin 2006, Park Geun-hye, në atë kohë udhëheqëse e opozitës konservatore, u godit me thikë nga një burrë gjatë një tubimi zgjedhor. Zonja Park u zgjodh në postin e presidentes në vitin 2012.