Turqia arreston 33 persona të dyshuar si spiunë izraelitë

Autoritetet turke kanë arrestuar 33 të dyshuar për spiunazh për shërbimin izraelit të zbulimit Mossad

Ministri i Brendshëm i Turqisë njoftoi se autoritetet turke kanë arrestuar 33 të dyshuar për spiunazh për shërbimin izraelit të zbulimit Mossad, duke i akuzuar ata për vënien në shënjestër të shtetasve të huaj që jetojnë në Turqi.

Autoritetet turke bastisën 57 pika të ndryshme në Stamboll dhe shtatë krahina të tjera të Turqisë, si pjesë e një operacioni të quajtur “Urithi”, të kryer nga byroja e kundër-terrorizmit pranë Zyres së Prokurorit të Stambollit dhe shërbimit turk të zbulimit, MIT, njoftoi të martën Ministri i Brendshëm turk Ali Jerlikaja.

Ata arrestuan 33 persona nën akuzat për lidhje me shërbimin izraelit të zbulimit Mossad.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu autoritetet janë në kërkim edhe të 13 personave të tjerë.

Operacioni u ndërmor disa javë pasi shefi i shërbimit të brendshëm të zbulimit në Izrael, i njohur me emrin Shin Bet, deklaroi përmes një audio-inçizimi se organizata e tij ishte e gatshme të shkatërronte Hamasin “në çdo vend”, përfshirë në Liban, Turqi dhe Katar.

Në dhjetor, zyrtarët në Turqi paralajmëruan Izraelin për “pasoja serioze” nëse do të ndiqte pjesëtarët e grupit militant Hamas që jetojnë në Turqi.

Presidenti turk Erdogan paralajmëroi se një veprim i tillë do të ishte gabim.

Izraeli dhe Turqia i normalizuan marrëdhëniet mes tyre në vitin 2022 pas shumë tensionesh, duke riemëruar ambasadorët përkatës. Por marrëdhëniet u acaruan pas fillimit të luftës ndërmjet Hamasit dhe Izraelit. Ankaraja është një prej kritikëve më të ashpër të sulmeve të Izraelit në Gazë.

Izraeli fillimisht tërhoqi diplomatët e vet nga Turqia për shkaqe sigurie, por më vonë njoftoi se po largonte diplomatët e saj nga Turqia për shkaqe politike, duke iu referuar “deklaratave gjithnjë e më të ashpra” të zyrtarëve turq.

Presidenti turk, qeveria e të cilit në të kaluarën ka takuar zyrtarë të Hamasit, ka deklaruar se grupi militant – që konsiderohet organizatë terroriste nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po lufton për çlirimin e tokave dhe njerëzve të vet.