Ushtria polake njoftoi rinisjen e operacioneve të kërkimit për gjetjen e pjesëve të një rakete të dyshuar ruse e cila sipas autoriteteve polake shkeli të premten hapësirën ajrore të vendit.
“Sot do të zhvillohen kërkime në rajonin Lublin Voivodeship për pjesë të mundshme të objektit që shkeli hapësirën ajrore polake dje”, shkroi komanda operacionale e ushtrisë polake në platformën e mediave sociale X.
“Synimi është që të sigurohemi se nuk do mbetet asnjë element i objektit në territorin polak”, njoftoi ushtria.
Zyrtarë të ushtrisë së Polonisë thanë të premten se raketa kishte lënë hapësirën polake tre minuta pas hyrjes nga ana e kufirit të saj me Ukrainën.
Rreth 480 ushtarë të Forcave të Mbrojtjes Territoriale morën pjesë në operacionin e kërkimit.
Të premten në mbrëmje ministria e jashtme e Polonisë thirri në mënyrë urgjente të ngarkuarin me punë të Rusisë për shpjegime mbi shkeljen e hapësirës ajrore nga raketa e komanduar.