Polonia thotë se një raketë ruse hyri në hapësirën e saj ajrore dhe më pas u largua

Forcat polake, foto nga arkivi/AP

Forcat e mbrojtjes së Polonisë njoftuan se një objekt i panjohur hyri në hapësirën ajrore të vendit të premten në mëngjes nga drejtimi i Ukrainës dhe pastaj u zhduk nga radarët. Sipas tyre, të gjitha shenjat flasin se bëhet fjalë për një raketë ruse.

“Të gjitha shenjat tregojnë se një raketë ruse ndërhyri në hapësirën ajrore të Polonisë. E kemi vëzhguar në radarë dhe pastaj u largua nga hapësira ajrore. E kemi të konfirmuar në radarë dhe nga aleatët” e NATO-s, tha Shefi i mbrojtjes së Polonisë, Gjenerali Wieslaw Kukula.

Forcat e mbrojtjes së Polonisë njoftuan se objekti depërtoi rreth 40 kilometra në hapësirën ajrore polake dhe u largua pas më pak se tre minutash. Forcat e mbrojtjes thanë se radari i tyre dhe i NATO-s konfirmuan se objekti u largua nga hapësira ajrore e Polonisë.

Gjenerali Kukula tha se po merren hapa për të verifikuar gjetjet dhe për të eliminuar mundësinë e një gabimi teknik.

Zyrtarët rusë nuk kanë komentuar këto zhvillime.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha në platformën X se ka biseduar me Presidentin polak për “incidentin me raketë” dhe se NATO ishte vigjilente dhe po vëzhgonte situatën “ndërkohë që përcaktohen faktet.”

Ende nuk është e qartë se ku u zhduk objekti nga radari ose në çfarë drejtimi po shkonte. Trupat ushtarake janë mobilizuar për ta identifikuar dhe gjetur. Për momentin nuk ka raporte për ndonjë shpërthim apo të lënduar.

Guvernatori i krahinës së Lublinit në pjesën lindore të Polonisë Krzysztof Komorski deklaroi për portalin mediatik “Onet” se objekti u paraqit në radarë në afërsi të qytetit Hrubieszow, ku gjendet një kalim kufitar me Ukrainën. Ai tha se nuk kishte informacion se raketa kishte rënë në krahinën e Lublinit.

Kufiri i Polonisë me Ukrainën është gjithashtu kufiri i Bashkimit Evropian dhe NATO-s me Ukrainën.

Kryeministri Donald Tusk mbajti takim me ministrin e mbrojtjes, komandantët ushtarakë dhe krerët e agjencive kombëtare të sigurisë. Presidenti Andrzej Duda si komandant suprem i forcave të armatosura të Polonisë po ashtu mblodhi Byronë e Sigurisë Kombëtare.

Presidenti Duda, përmes një këshilltareje të tij, tha se “për momentin nuk kishte kërcënim” dhe asgjë që do të sugjeronte se duhej pritur “ndonjë gjë të keqe.”

“Më e rëndësishme është që askush nuk është lënduar,” deklaroi Grazyna Ignaczak-Bandych.

Zyrtarët ukrainas të premten njoftuan se Rusia ka sulmuar gjatë natës pika të ndryshme në Ukrainë me mbi 100 raketa dhe dhjetëra dronë, në një sulm që zyrtarët e quajtën më të madhin sulm ajror që kur filloi sulmi rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Mbetet e paqartë nëse objekti i raportuar nga Polonia ishte pjesë e këtij sulmi ndaj Ukrainës.

“Kjo mund të ndodhë si rezultat i sulmeve të tilla të shumta. Armiku po sulmon territoret tona kufitare, përfshirë ato në pjesën perëndimore. Ky është edhe një sinjal për partnerët tanë që të përforcojnë mbrojtjen ajrore ukrainase,” deklaroi zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës Yurii Ihnat në televizionin kombëtar duke iu referuar incidentit.

Polonia po përkrah Ukrainën me ndihma ushtarake, humanitare dhe politike.

Kjo nuk është hera e parë që një objekt i paautorizuar hyn në hapësirën ajrore të Polonisë nga drejtimi i Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus. Në nëntor të vitit 2022, dy persona ishin vrarë kur një raketë goditi fshatin Przewodow, disa kilometra nga kufiri. Zyrtarët perëndimorë vlerësuan se bëhej fjalë për një raketë të lëshuar gabimisht të sistemit mbrojtës ajror të Ukrainës.