Bllokada e kamionistëve polakë në kufirin me Ukrainën mund të përfundojë së shpejti

Qeveria është pranë dhënies fund të bllokadës në disa vendkalime kufitare me Ukrainën nga shoferët e kamionëve, tha kryeministri i Polonisë të mërkurën.

Që nga 6 nëntori shoferët polakë kanë bllokuar disa vendkalime me Ukrainën, duke kërkuar nga Bashkimi Evropian që të rivendosë një sistem ku kompanitë ukrainase kanë nevojë për leje për të operuar në bllok dhe për kamionistët evropianë që të shkojnë në Ukrainë.

Fermerët pezulluan protestën në një pikë kufitare të dielën, por kamionistët kanë vazhduar të bllokojnë tre pika të tjera kufitare.

“Jemi pranë besimit se veprimet tona mund të sjellin rezultate, si me bisedimet në Kiev ashtu edhe në Bruksel”, tha kryeministri polak Donald Tusk në një konferencë shtypi. “Nuk mendoj se do të arrijmë maksimumin e kërkuar nga kamionistët, por duket se ajo që mund të arrihet do të na lejojë që të lehtësojmë emocionet dhe bllokadat në kufi”.

Rregulloja e lejeve për shoferët ukrainas u pezullua pasi BE-ja dhe Kievi nënshkruan një marrëveshje më 29 qershor 2022, katër muaj pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

Zoti Tusk tha se rregulloret aktuale për lejet do të jenë në fuqi deri në qershor dhe se nuk ka gjasa që ato të mund të ndryshohen më herët. Megjithatë, ai tha se zgjidhje të tjera mund të gjenden në "nivel operacional".

Ai tha se do ta diskutonte këtë çështje me Presidentin Volodymyr Zelenskyy gjatë një vizite të ardhshme në Kiev.

“Do të bëj gjithçka që është e mundur për ta bërë më të lehtë jetën dhe fatin e kamionistëve polakë”, tha zoti Tusk.

Zëvendësministri i infrastrukturës polake tha të premten pas një takimi në Kiev se shpresonte që protestat e kamionistëve në kufirin me Ukrainën të zgjidheshin para fundit të vitit.