Delegacioni amerikan në Meksikë, bisedime për emigracionin e shtuar në kufi

Tendat e emigrantëve në kryeqytetin meksikan përpara Kishës Santa Cruz y La Soledad (26 dhjetor 2023)

MEXICO CITY – Një delegacion amerikan i nivelit të lartë po takohet të mërkurën me presidentin meksikan. Takimi shihet si pjesë e përpjekjeve të Meksikës për të kufizuar prurjet e emigrantëve drejt kufirit jugperëndimor të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, ka thënë se dëshiron të ndihmojë për këtë çështje, por edhe përparim në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kubën dhe Venezuelën, dy vendet kryesore nga ku vijnë emigrantët, si dhe më shumë ndihma për zhvillimin në këtë rajon.

“Kemi thënë gjithnjë se duhet të merremi me shkaqet (e emigracionit). Idealja do të ishte të ndihmonim vendet e varfëra”, tha zoti Obrador përpara takimit.

Dy palët përballen me trysni për të arritur një marrëveshje, pasi disa masa në të kaluarën, si kufizimi i udhëtimit të drejtpërdrejtë për në Meksikë, apo deportimi i disa kategorive të emigrantëve, nuk arritën t’i ndalin prurjet. Këtë muaj janë arrestuar rreth 10 mijë emigrantë në ditë në kufirin jugperëndimor amerikan.

Shtetet e Bashkuara kanë hasur në vështirësi për të përpunuar dokumentacionin e mijëra emigrantëve në kufi, si dhe për t’i strehuar pasi dërgohen në qytetet në veri të vendit. Sektorët industrialë të Meksikës pësuan humbje javën e kaluar kur Shtetet e Bashkuara mbyllën shkurtimisht dy pika jetike kufitare hekurudhore në Teksas, duke thënë se agjentët e kufirit duhet të transferoheshin për t’u përballur me prurjet e emigrantëve. Një tjetër pikë kufitare vazhdoi të ishte e mbyllur në Lukeville të Arizonës, dhe operacionet ishin pjesërisht të pezulluara në San Diego të Kalifornisë dhe Nogales të Arizonës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken la të hapur mundësinë që këto pikëkalime të rihapeshin nëse Meksika do të ofrojë më shumë ndihmë.

“Sekretari Blinken do të diskutojë për emigracionin e parregullt të paprecedentë në Hemisferën Perëndimore dhe do të identifikojë mënyrat se si Meksika dhe Shtetet e Bashkuara do të përballen me sfidat e sigurisë në kufi, përfshirë veprimet për të mundësuar rihapjen e pikave jetike të kalimit përgjatë kufirit tonë të përbashkët”, tha zyra e tij.

Në Mexico City

Meksika tha se 680 mijë emigrantë kanë kaluar përmes këtij vendi në 11 muajt e parë të vitit 2023.

Meksika ka caktuar rreth 32 mijë ushtarakë dhe oficerë të Gardës Kombëtare, pra rreth 11% të forcave të saj të armatosura, për të zbatuar ligjet e emigracionit dhe Garda Kombëtare meksikane tashmë ndalon më shumë emigrantë se kriminelë.

Por, mangësitë e kësaj qasjeje u shpalosën të martën, kur oficerët e Gardës Kombëtare meksikane nuk bënë përpjekje për të ndalur një karvan me rreth 6 mijë emigrantë, shumë prej të cilëve nga Amerika Qendrore dhe Venezuela, që kalonin përmes pikës kryesore në Meksikë për inspektimin e emigracionit në shtetin jugor Chiapas, pranë kufirit me Guatemalën.

Në të kaluarën, Meksika i ka lejuar të kalojnë këto lloje karvanësh, duke menduar se emigrantët do të lodheshin nga ecja përgjatë autostradave.

Deri të mërkurën, Lazara Padron Molina, 46 vjeçe nga Kuba, ishte e sëmurë dhe e stërmunduar. Karvani ishte nisur më 24 dhjetor nga qyteti Tapachula dhe kishin ecur mbi 75 kilometra mes të nxehtit, drejt Escuintlas, në shtetin jugor meksikan Chiapas.

“Kjo trajektore është shumë e gjatë për ta vazhduar ecjen. Përse nuk na japin dokumente që të mundemi të marrim autobusin apo një taksi?”, tha zonja Molina. “Shikojini këmbët e mia”, tha ajo, duke treguar kallot. “Nuk mundem të vazhdoj më”.

Familja e Aguilar Bastidas nga Venezuela duke qëndruar në Mexico City (26 dhjetor 2023)

Por taktika e lodhjes së emigrantëve, duke i detyruar venezuelianët apo të tjerët të ecin përmes xhunglës në Darien Gap, apo duke i zbritur emigrantët nga autobusët e pasagjerëve në Meksikë, duket se nuk po funksionon më.

Kaq shumë emigrantë hipin në trenat e mallrave përmes Meksikës, sa që një nga dy kompanitë kryesore hekurudhore të vendit ndali trenat në shtator për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Operacionet e policisë për të zbritur emigrantët nga vagonët, një praktikë e ndjekur nga Meksika një dekadë më parë, do të ishte ndoshta diçka që delegacioni amerikan do të dëshironte të ndodhte.

Në lagjet pranë sheshit kryesor në Mexico City, ku bëhet takimi i Sekretarit Blinken me Presidentin meksikan Obrador në Pallatin Kombëtar, emigrantët qëndrojnë në një strehimore të improvizuar në një kishë, ku mbledhin forcat për të vazhduar drejt veriut.

David Pena, së bashku me dy vajzat e tij dhe gruan shtatzanë, Maryeris Zerpa, shpresonin të mbërrinin në Shtetet e Bashkuara përpara se të lindë fëmija pas rreth një muaji.

“Qëllimi është ta kalojmë kufirin që fëmija të lindë atje”, tha zoti Pena. Por duke qenë se nuk u është caktuar takim me autoritetet e emigracionit, ai nuk e di se kur mund të hyjë familja e tij.

Sekretari amerikan i Sigurisë, Alejandro Mayorkas dhe këshilltarja për sigurinë në vend Liz Sherwood-Randall janë gjithashtu pjesëmarrës në takim.

Shtetet e Bashkuara kanë dëshmuar se problemet në kufi të njërit vend bëhen me shpejtësi probleme për të dyja vendet. Mbylljet e hekurudhave në Teksas ndalën lëvizjen e kontenierëve nga Meksika për në Shtetet e Bashkuara, si dhe të tagjisë që dërgohet drejt jugut për të ushqyer bagëtitë e Meksikës.

Presidenti meksikan Obrador konfirmoi javën e kaluar se zyrtarët amerikanë dëshirojnë që Meksika të bëjë më shumë për të ndalur emigrantët në kufirin e saj jugor me Guatemalën, ose që ta bëjë më të vështirë për ta përshkuar Meksikën me tren, apo me kamionë dhe autobusë.

Por presidenti meksikan tha se në këmbim dëshiron që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë ndihma të mëtejshme zhvillimi për vendet nga vijnë emigrantët, si dhe të pakësojnë apo të eliminojnë sanksionet ndaj Kubës dhe Venezuelës.

“Do të ndihmojmë, siç kemi bërë gjithnjë”, tha zoti Obrador. “Meksika po ndihmon për të arritur marrëveshje me vendet e tjera, në këtë rast me Venezuelën”. Ai shtoi se Meksika i ka propozuar Presidentit Joe Biden çeljen e një dialogu dypalësh SHBA – Kubë.

Në maj, Meksika ra dakord të pranojë emigrantët nga vende si Venezuela, Nikaragua dhe Kuba, të cilët refuzohen nga Shtetet e Bashkuara për shkak se nuk ndjekin rregullat që ofrojnë një mundësi për emigracion të ligjshëm dhe azil.