Kolorado, FBI-ja heton 'Incidentet' ndaj gjykatësve që morën vendimin kundër zotit Trump

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të Kolorados

Policia tha të martën se po heton kërcënimet ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të Kolorados dhe po ofron mbrojtje shtesë rreth shtëpive të tyre në Denver pas vendimit për të hequr ish-Presidentin Donald Trump nga fleta e votimit në zgjedhjet presidenciale në këtë shtet.


Departamenti i Policisë së Denverit refuzoi të jepte detaje rreth hetimeve pas kërkesës nga agjencia e lajmeve Associated Press, duke përmendur shqetësimet për sigurinë dhe privatësinë por dhe faktin që hetimi është në vazhdim e sipër.

Departamenti “po heton aktualisht incidentet (kërcënimet) ndaj gjykatësve të Gjykatës së Lartë të Kolorados dhe do të vazhdojë të punojë me partnerët lokalë, shtetërorë dhe federalë të zbatimit të ligjit për të hetuar tërësisht çdo raport kërcënimi ose ngacmimi”.

Organet e rendit shkuan në shtëpinë e një gjyqtari të enjten në mbrëmje pas njoftimeve për incident të mundshëm, por më pas konfirmoi se njoftimet për incident ishin mashtrime. Ky rast po ashtu po hetohet, tha policia.

FBI-ja tha se po punon me organet lokale të zbatimit të ligjit për këtë çështje.

“Ne do të ndjekim me vendosmëri hetimet për çdo kërcënim ose dhunë nga dikush që përdor pikëpamjet ekstremiste për të arsyetuar veprimet e tyre, pavarësisht nga motivi”, tha në një deklaratë një zëdhënëse e zyrës së FBI-së në Denver.

Në një vendim 4 me 3 javën e kaluar, gjykata më e lartë e Kolorados përmbysi vendim e një gjykatësi qarku, i cili ndonëse tha se roli i zotit Trump në trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol ishte e një nxitësi të kryengritjes, megjithatë refuzoi ta përjashtojë atë nga fleta votimit për zgjedhjet presidenciale.

Gjyqtari tha se ishte e paqartë nëse klauzola e kryengritjes në Kushtetutën amerikane ka të bëjë edhe me presidencën.

Gjykata e Lartë nuk u pajtua me këtë vlerësim, duke përkrahur qëndrimin e avokatëve të gjashtë votuesve republikanë dhe të pavarur të Kolorados, të cilët argumentuan se ishte e pakuptimtë të imagjinohej që hartuesit e atij amendamenti të Kushtetutës, të frikësuar nga rikthimi i politikanëve pro konfederatës në pushtet, do t'i ndalonin ata nga zyrat e nivelit të ulët, por jo nga posti më i lartë në vend.

Gjykata e shtyu zbatimin e vendimit të saj deri më 4 janar, ose derisa Gjykata e Lartë e SHBA-së në Uashington të vendosë për çështjen. Zyrtarët e Kolorados thonë se çështja duhet të zgjidhet deri më 5 janar, afati i fundit që shteti të shtypë fletëvotimet e tij për zgjedhjet presidenciale.