Opozita në Kosovë dërgon në Gjykatën Kushtetuese ligjin për Fondin Sovran

Pamje nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës, i kërkoi të martën Gjykatës Kushtetuese vlerësimin e Ligjit për Fondin Sovran, një entitet aksionar që do të menaxhojë pronat shtetërore.

Ligji i cili u miratua me 15 dhjetor në parlamentin e Kosovës, parasheh që Fondi Sovran të menaxhojë ndërmarrjet publike dhe ato shoqërore, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia e Privatizimit.

Në mesin e këtyre ndërmarrjeve janë edhe Korporata Energjetike e Kosovës, Posta e Kosovës, Kombinati metalurgjik Trepça, hekurudhat e Kosovës etj.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka vlerësuar Fondin Sovran si projektin më të madh ekonomik i cili sipas tij do të rrisë mundësinë e investimeve dhe do të përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre.

“Ndërmarrjet tona publike, të cilat nuk operojnë më me humbje si në të kaluarën, së bashku me 24 mijë asete tjera do barten nga qeveria në Fond, që do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kjo e bën qeverinë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur, duke na vendosur në hartën e tregjeve botërore financiare”, ka theksuar kryeministri Kurti pas miratimit - kishte thënë Kurti.

Por, opozita nuk është pajtuar me ligjin duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij. Pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, Ferat Shala nga Partia Demokratike e cilësoi ligjin diskriminues dhe në kundërshtim me parimin e ekonomisë së tregut të lirë.

“Qeveria po orvatet të vendosë një superstrukturë menaxhuese për të krijuar pabarazi dhe për të hapur linja të tjera të kontrollit mbi këto asete”, tha zoti Shala.

Çështjen e ka dërguar në Kushtetuese edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila vlerëson se me këtë fond, “qeveria tenton të krijojë super-ndërmarrje shtetërore e cila do të kontrollojë çdo pronë, çdo cep të ekonomisë së vendit, që bie në kundërshtim me vetë Kushtetutën, e cila u garanton qytetarëve të Kosovës një ekonomi të tregut dhe një konkurrencë të lirë”.

Themelimi i Fondit Sovran, është përcjellë me debate për dhe kundër. Pak kohë para votimit në parlament, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se “ka strategji alternative që mund të jenë më të përshtatshme. Veçanërisht, privatizimi i ndërmarrjeve publike dhe ndërmarrjeve shoqërore mund të sjellë rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme për ekonominë”.

Kjo odë kishte theksuar se Kosova, si një vend me sfida ekonomike, ka burime të kufizuara financiare për investime strategjike dhe Fondi Sovran do të kërkonte një ndarje të madhe të këtyre burimeve, duke lënë pas dore fushat e tjera parësore.

“Një hap i tillë do të mund të çonte në rritjen e ngarkesës fiskale dhe frenimin e rritjes ekonomike. Prandaj, Oda Amerikane beson fuqishëm se mjetet e buxhetit, edhe ashtu të kufizuar të shtetit, duhet të investohen në fusha kritike, të cilat përfshijnë arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, bujqësinë, turizmin, prodhimin vendor, ndërmarrësinë dhe rritjen e aftësive profesionale. Investimet direkte në këta sektorë mund të ndihmojnë qeverinë të adresojë më shpejt dhe në mënyrë më të efektshme nevojat aktuale të ekonomisë, duke sjellë rritje afatgjatë, të qëndrueshme dhe punësim cilësor. Veçanërisht, kur fokusohet te sektorët prodhues, vendi mund të ul varësinë nga importet dhe të nxisë aftësinë e vetëmjaftueshmërisë ekonomike”, kishte theksuar mes tjerash Oda Ekonomike amerikane në Kosovë.

Kryeministri Kurti tha pas miratimit të ligjit në parlament se me këtë vendim Kosova është vendosur në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës dhe është hedhur themeli për krijimin e një trashëgimie për gjeneratat e ardhshme.

“Fondi Sovran do të punojë që t’i forcojë ndërmarrjet publike të vendit dhe ato t’i shndërrojë në korporata të fuqishme të vendit dhe më tej. Fondi Sovran do të sjellë një cikël të ri investimesh duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare dhe duke e ngritur dhe shtuar qarkullimin e kapitalit investiv për gjithë ekonominë e vendit”.