Festa e Krishtlindjes mes lutjeve për solidaritet njerëzor dhe paqe

  • Pëllumb Sulo

Besimtarët katolikë dhe ata ortodoksë mbushën në mesnatë kishat e tyre duke festuar me lutje dhe këngë lindjen e Krishtit, me shpresën për paqe, begati dhe më shumë gëzime.

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, udhëhoqi meshën e shenjtë të Krishtlindjes në katedralen e “Shën Shtjefnit” në Shkodër. Arqipeshkvi Massafra tha se Krishtlindjet janë festa e dashurisë dhe familjes dhe bëri thirrje për falje mes njerëzve dhe më shumë dashuri e solidaritet ndaj njëri-tjetrit.

“Kjo festë na liroftë nga çdo paragjykim, nga çdo urrejtje, mllef, nga folurit keq për të tjerët. Siç thotë një shenjtë, të bëjmë gjithnjë më të mirën dhe mos t’i bëjmë keq askujt. Ky është mësimi i Krishtlindjes”.

Your browser doesn’t support HTML5

Festa e Krishtlindjes mes lutjeve për solidaritet njerëzor dhe paqe

Gjatë pretkut të meshës, imzot Massafra u bëri thirrje besimtarëve që, nën shembullin e Hyut, të mbështesin njëri-tjetrin duke kontribuar për familjen, shoqërinë dhe për vendin e tyre si dhe duke i’u larguar çdo të keqeje dhe paragjykimi për të tjerët.

“Festoni Krishtlindjet duke dashur njëri-tjetrin, duke u angazhuar që të jemi solidarë. Festa e Krishtlindjes është festa e dashurisë, e familjes, solidaritetit, se Krishti po bëhet solidarë me ne duke lënë qiellin dhe duke u bërë njeri për ne”.

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë u kërkoi besimtarëve që të luten për paqe, kudo ku ka luftëra dhe që njerëzit të jetojnë në paqe dhe harmoni me njëri-tjetrin.

Ndërsa famullitari i kishës ortodokse në Shkodër, At Nikolla Petani, duke i uruar besimtarët për festën e Krishtlindjes tha se Krishti erdhi mes njerëzve duke u dhënë dashurinë dhe paqen.

“Lindja e Zotit tonë Jezu Krisht transformoi lindjen njerëzore të njeriut. Zoti nga perëndi kthehet në perëndi-njeri dhe jeton e rrin bashkë me njerëzit. Vetëm nga lindja e Zotit tonë Krisht ne duhet të kuptojmë se sa e mirë është jeta, se sa fort duhet ta duam jetën. Zoti erdhi mes nesh duke na dhënë shpresën, paqen, dashurinë, zemrën e tij dhe jetën e tij, që kushdo të besojë që të mos humbasë”.

33 vite pas rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri dhe rifitimit të lirive fetare, festat e kalendarit fetar janë një mundësi për bashkimin e besimtarëve të të gjitha besimeve, një traditë kjo e vlerësuar ndër shqiptarët.