Besimtarët e krishterë morën pjesë në meshën e Krishtlindjes në qytetin e Betlehemit të Bregut Perëndimor ndërsa lufta sa vjen e ashpërsohet në Rripin e Gazës. Udhëheqësit e krishterë ranë dakord që festimet e këtij viti në qytetin ku ka lindur Jezusi dhe disa qytete të tjera, të jenë sa më të vogla, në solidaritet me popullin palestinez.
Your browser doesn’t support HTML5
Patriarku i Jeruzalemit, Pierbattista Pizzaballa, drejtoi meshën e Krishtlindjes në orët e para të mëngjesit të së hënës në qytetin që respektohet nga të krishterët si vendlindja e Jezusit. Përveç shërbimeve kishtare, Betlehemi ishte një qytet fantazmë.
Ndërkohë në Vatikan, Papa Françesku duke kujtuar lindjen e Jezusit në Betlehem tha se madje edhe sot, “lufta po e pengon Jezusin që të gjejë një vend në botë”.
“Zemrat tona janë në Betlehem, ku Princi i Paqes është refuzuar edhe një herë nga logjika e kotë e luftës, nga përplasja e armëve që edhe sot e pengon atë të gjejë vend në botë”, tha Papa duke iu referuar luftës së shkaktuar nga sulmi gjakatar i Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit dhe marrja e pengjeve.
Gjatë një ceremonie më herët në sheshin e Shën Pjetrit, Papa kujtoi ata që po vuajnë nga lufta në Ukrainë dhe Rripin e Gazës.
Popullata kryesisht palestineze në qytetin e Betlehemit në Bregun Perëndimor të pushtuar po mban zi për mijëra të vdekur nga konflikti mes Izraelit dhe Hamasit. Autoritetet palestineze thonë se janë vrarë më shumë se 20,000 njerëz nga sulmet e Izraelit, shifra që nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Ky është viti i parë që në Betlehem nuk është vendosur pema e madhe e Krishtlindjes për shkak të humbjeve të jetëve në Rripin e Gazës.
Pelegrinët e krishterë nga mbarë bota nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë në meshë për shkak të luftës që filloi pasi militantët e Hamasit sulmuan qytetet jugore të Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1200 persona dhe marrë peng 240 të tjerë.
Lufta në Gazë është shoqëruar me rritjen e dhunës në Bregun Perëndimor, me rreth 300 palestinezë të vrarë nga zjarri izraelit.
Që nga 7 tetori, qasja në Betlehem dhe qytete të tjera palestineze në territorin e pushtuar nga Izraeli ka qenë e vështirë, me radhë të gjata shoferësh që presin të kalojnë nëpër pikat e kontrollit ushtarak.
Kufizimet kanë penguar gjithashtu dhjetëra mijëra palestinezë që të shkojnë të punojnë në Izrael. Anulimi i festimeve të Krishtlindjeve në Betlehem është një tjetër goditje e rëndë për ekonominë e qytetit. Turizmi përbën rreth 70% e të ardhurave të Betlehemit, që kryesisht përfitohet gjatë sezonit të Krishtlindjeve.
Zyrtarët lokalë në Betlehem thonë se mbi 70 hotele janë detyruar të mbyllen, duke lënë mijëra njerëz të papunë.