Policia në Serbi hodhi gaz lotsjellës të dielën për të penguar qindra mbështetës të opozitës që provuan të hyjnë në ndërtesën e Kuvendit të Beogradit, në shenjë proteste ndaj atyre që vëzhguesit thanë se ishin parregullsi të gjera gjatë zgjedhjeve të përgjithshme fundjavën e kaluar.
Presidenti populist i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se protestat ishin një përpjekje e organizuar nga jashtë për të rrëzuar qeverinë. Ai tha se më shumë se 35 persona u arrestuan dhe paralajmëroi më shumë arrestime.
“Kjo ishte një përpjekje për të pushtuar me dhunë institucionet shtetërore të Republikës së Serbisë”, tha presidenti Vuçiç për televizionin pro-qeveritar Pink.
Autoritetet kanë mohuar të ketë ndodhur mashtrim më votat dhe i kanë përshkruar zgjedhjet e 17 dhjetorit si të drejta. Presidenti serb tha të dielën se pretendimet për parregullsi në votime ishin "gënjeshtra" të nxitura nga opozita.
Presidenti serb i cili mblodhi Këshillin e Sigurisë për të diskutuar situatën, sugjeroi se trazirat ishin nxitur nga jashtë, por nuk dha prova për të mbështetur këtë pretendim. Duke iu drejtuar kombit gjatë protestës jashtë bashkisë së Beogradit, ai i quajti demonstruesit "banditë" të cilët nuk do të kenë sukses në destabilizimin e shtetit dhe tha se “ky nuk është një revolucion".
Policia u vendos brenda ndërtesës së kuvendit të bashkisë së Beogradit duke hedhur gaz lotsjellës, ndërsa qindra protestues të opozitës thyen xhamat në hyrje të ndërtesës. Më pas, policia ndërhyri duke larguar grupet e protestuesve nga qendra e qendra e qytetit dhe kreu arrestime.
Protestuesit brohorisnin “hapeni derën” dhe “hajdutë”, ndërsa hodhën vezë mbi ndërtesën. Disa brohoritën "Vuçiçi është Putin", duke e krahasuar presidentin serb me udhëheqësin rus.
Nebojsha Zelenoviç, një nga udhëheqësit e aleancës opozitare “Serbia kundër dhunës”, tha se oficerët e policisë pushtuan gjithë qendrën e Beogradit, duke përfshirë çatitë e ndërtesave.
Edhe opozita edhe pushteti folën për të lënduar nga të dyja palët, por nuk pati njoftime zyrtare.
Partia Përparimtare Serbe në pushtet fitoi 46.72 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare fundjavën e kaluar, sipas rezultateve paraprake të komisionit shtetëror të zgjedhjeve.
Një mision vëzhgues ndërkombëtar tha të hënën se Partia Përparimtare përfitoi në mënyrë të padrejtë përmes ndikimit të papërshtatshëm të presidentit Vuçiç dhe parregullsive në votim, siç ishte blerja e votave.
Lexoni edhe këtë SHBA: Serbia të hetojë dhunën dhe parregullsitë në procesin zgjedhorNjë koalicion opozitar i qendrës së majtë “Serbia kundër dhunës” doli i dyti në zgjedhje me 23.56 të votave.
Zgjedhjet u pasuan me tensione politike në Serbi, një vend i trazuar ballkanik që po ruan lidhje të ngushta me Rusinë, por kërkon edhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Pesë udhëheqës të opozitës janë në grevë urie, pasi opozita thotë se i është rrëmbyer fitorja për pushtetin lokal në Beograd dhe u ka kërkuar institucioneve evropiane të mos i njohin rezultatet e zgjedhjeve në Serbi, derisa të përfundojë një hetim i plotë ndërkombëtar për parregullsitë gjatë votimeve.