Në Shqipëri, në këtë fundvit, një numër i madh familjesh gjenden në varfëri dhe pamundësi për të festuar si pjesa tjetër e familjeve shqiptare. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, në bashkinë malore të Pukës, me mbështetjen financiare të shqiptarëve të Amerikës, një grup të rinjësh vullnetarë po shpërdajnë pako me ushqime për familjet e varfëra, që edhe ato të festojnë Krishtlindjen dhe Vitit e Ri
Your browser doesn’t support HTML5
Ndërsa qendrat e qyteteve shkëlqejnë nga atmosfera e festave të fundvitit, në lagjet periferike dhe në fshatrat malore në veri të Shqipërisë ditët janë të zakonshme për familjet e varfëra dhe ato në varfëri ekstreme. Në Bashkinë e Pukës, një nga më të varfërat në veri të vendit, një grup të rinjsh, të mbështetur për të tetin vit radhazi nga artisti pukjan me banim ne SHBA, Fran Gjoka, prej disa ditësh po shpërndajnë pako ushqimore për familjet e varfëra, në Pukë dhe Fushë-Arrës, që edhe ato të festojnë në këtë fundviti.
“Numri i familjeve që janë në vështirësi sa vjen e po shtohet, kryesisht në zonat rurale. Njerëzit që kanë mbetur në këto zona përballen me vështirësi të mëdha ekonomike dhe, nisur nga ideja jonë që askush të mos mbetej pa festuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, ne nisëm këtë aksion me ndihmën financiare të Fran Gjokës”.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, 21.8% e shqiptarëve jetojnë në kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, ndërsa, sipas Bankës Botërore, varfëria është e përhapur në rreth 38% të popullatës në Shqipëri.
Në periferi të qytetit të Pukës, në një banesë plot lagështi dhe gati për tu shembur, jeton mes varfërisë dhe shpresës se dikush do ta ndihmojë Qamile Demushi Murataj, gruaja e dyte në Shqipëri që ushtroi profesionin e shoferes.
“28 vjet kam punu shofere. Kam pasë katër fëmijë dhe i kam rritë si të thuash jetima, me halle dhe vuajtje. Kena arritë me 5 mijë lekë pension. Koha dhe vendi duket si janë këtu. Këto janë mundësitë tona”.
Ndër përfituesit e nismës “Askush ndër ne pa festuar” është edhe Mark Bardhoshi, një person me aftësi të kufizuar që drejton shoqatën e paratetraplegjikëve në Pukë. Ai thotë se vështirësitë e tyre janë të shumta dhe se kanë nevojë për më shumë mbështetje.
“Barrierat e infrastrukturës, barrierat shëndetësore, barrierat shpesh here edhe paragjykuese. Por ajo që mendoj, prap se prap jetën duhet me e jetu sa ma denjësisht, sa ma bukur. Edhe se je në karrige me rrota”.
Ashtu si dhe bashkitë e tjera të zonës veriore të Shqipërisë, Puka ka pasuri të shumta natyrore, me pyje, miniera dhe burime ujore që vënë në punë hidrocentralet e Kaskadës se Drinit. Megjithatë, niveli i varfërisë këtu është më i madh se në pjesën tjetër të vendit, kontrast ky që vërehet nga vullnetarët e nismës “Askush ndër ne pa festuar”.
Koordinatori i nismës Armir Mehaj thotë se, përveç shqiptaro-amerikanit Fran Gjoka, edhe bashkëvendas të tjerë po mbështesin nismën e tyre që asnjë familje e varfër në Pukë dhe Fushë-Arrës të mos mbetet pa festuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.
“Këtë vit kemi planifikuar që aksioni jonë “Askush ndër ne pa festuar” të trokasë në dyert e rreth 250 familjeve të varfëra në territoret e bashkive Pukë dhe Fushë-Arrës. Dhe, Fran Gjoka është donatori kryesor dhe nismëtari i financimeve të aksionit që ne ndërmarrim. Por, vitet e fundit, është rritur edhe ndihma dhe zemërgjerësia e të tjerë shqiptarëve që jetojnë në SHBA”.
Ashtu si të gjithë përfituesit e nismës “Askush ndër ne pa festuar”, edhe Mark Bardhoshi e ka një urim për personat që i mbështetën në këtë fundviti.