Presidenti Biden urdhër ekzekutiv kundër atyre që ndihmojnë industrinë ruse të mbrojtjes

Lufta në Ukrainë/AP

Presidenti Joe Biden lëshoi një urdhër ekzekutiv të premten që i jep Departamentit amerikan të Thesarit fuqinë për të vënë në shënjestër institucionet financiare që ndihmojnë përpjekjet e Rusisë për të fuqizuar industrinë e saj të mbrojtjes.

Sanksionet e reja kanë si synim të frenojnë përpjekjet e Kremlinit për të zëvendësuar arsenalin e shpenzuar ushtarak pas gati 22 muajsh luftimesh në Ukrainë. Rusia tashmë ka humbur mbi 13,000 mjete, përfshirë tanke, dronë dhe sisteme raketore, sipas vlerësimeve amerikane.

Sanksionet e reja synojnë gjithashtu të shtrëngojnë kufizimet ekzistuese për importin e diamanteve dhe prodhimeve të detit nga Rusia, pas një shqyrtimi nga agjencitë amerikane.

“Presim që institucionet financiare të bëjnë çdo përpjekje për t’u siguruar që ato nuk lehtësojnë me dashje apo pa dashje, sanksionet ndaj ushtrisë ruse,” tha Sekretarja e Thesarit Janet Yellen përmes një deklarate. “Ne nuk do të hezitojmë të përdorim mjetet e reja që na jep ky urdhër për të ndërmarrë hapa vendimtar dhe të saktë kundër institucioneve financiare që ndihmojnë furnizimin e makinerisë luftarake të Rusisë.”

Përpjekja më e re për të shtuar trysninë ndaj Rusisë vjen vetëm disa javë pasi Presidenti Biden dhe udhëheqësit e G-7 diskutuan për përkrahjen ndaj Ukrainës ndërkohë që tensionet në Uashington janë shtuar për shkak të kostos së përkrahjes ndaj Kievit për një luftë që nuk po i shihet fundi.

Shtëpia e Bardhë po vazhdon diskutimet me ligjvënësit për miratimin e një pakoje financiare për Ukrainën. Presidenti Biden ka propozuar një ndihmë prej 110 miliardë dollarësh për ndihmë lufte për Ukrainën, Izraelin dhe për përparësitë e tjera që lidhen me çështje të sigurisë kombëtare. Ligjvënësit republikanë kanë kundërshtuar miratimin e kësaj ndihme përderisa Shtëpia e Bardhë të pajtohet me ndryshime të mëdha në politikat e emigracionit dhe çështjet e kufirit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Departamenti i Mbrojtjes thotë se gati i ka shpenzuar të gjitha fondet ekzistuese për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës.

Udhëheqësit e G-7 thanë përmes një deklarate pas takimit të 6 dhjetorit se do të punojnë për të kufizuar qasjen e Rusisë në sistemin financiar ndërkombëtar dhe se do të vendosin në shënjestër “rrjetet e prokurimit të ushtrisë ruse dhe ata që e ndihmojnë Rusisë të sigurojë mjete, makineri dhe pajisje të tjera të rëndësishme.”

Shpenzimet ruse në fushën e mbrojtjes u rritën me gati 75 për qind në pjesën e parë të vitit 2023 dhe Rusia pritet të regjistrojë shpenzime rekorde në fushën ushtarake vitin e ardhshëm.