Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha të premten se Serbia duhet të punojë për të trajtuar mangësitë në procesin e zgjedhjeve të gjetura nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin X, i njohur deri vonë si Twitter, ambasadori Hill tha se vëzhguesit ndërkombëtarë dhe Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, kanë gjetur një numër mangësish në zgjedhjet 17 dhjetorit në Serbi.
“Është shumë me rëndësi që Serbia të punojë me OSBE-në, me vëzhguesit ndërkombëtarë për të trajtuar këto çështje. Zgjedhjet janë thelbësore për procesin demokratik...Serbia duhet t’i zgjidhë këto çështje në institucione”, tha ambasadori Hill.
Ai tha se qeveria amerikane pret të vazhdojë punën me qeverinë e Serbisë “për çështje të interesit të përbashkët që përfshijnë edhe çështjet rajonale, por edhe synimin e Serbisë për të qenë pjesë e familjes së kombeve perëndimore”.
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha në fillim të javës se “trysnia ndaj votuesve, angazhimi vendimtar i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, si dhe përparësitë e partisë në pushtet kanë dëmtuar procesin zgjedhor në tërësi”.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha të martën se “pretendimet për parregullsi të raportuara nga OSBE-ja dhe ekipi vëzhgues duhet të hetohen dhe dhuna ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve, gazetarëve dhe vëzhguesve të akredituar, për të cilën kemi parë njoftime, është e papranueshme dhe do të vazhdojmë t’ia bëjmë të qartë Serbisë këtë gjë”.
Lexoni edhe këtë SHBA: Serbia të hetojë dhunën dhe parregullsitë në procesin zgjedhorZyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë ndërkaq se procesi zgjedhor në Serbi duhet të përmirësohet ndjeshëm, ndërsa theksuan se “funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të anëtarësimit të saj në bllok".
Zyrtarët e pushtetit ngulën këmbë se zgjedhjet e parakohshme të fundjavës ishin të lira dhe të ndershme me gjithë kritikat dhe tensionet politike pas votimeve.
Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” u ka kërkuar institucioneve evropiane të mos i njohin rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, krahinore e veçanërisht atyre lokale në Serbi, derisa të përfundojë një hetim i plotë ndërkombëtar për parregullsitë gjatë votimeve.
Lexoni edhe këtë Opozita serbe i kërkon BE-së të mos njohë rezultatet e zgjedhjeve të së dielësZyrtarët evropianë nuk e kanë komentuar ende kërkesën e opozitës e cila tha se Bashkimi Evropian duhet të shfrytëzojë mundësinë për të mbështetur qytetarët e Serbisë që kërkojnë demokracinë dhe vlerat themelore evropiane. Nëse nuk e bën këtë, atëherë do t’i jap një goditje të rëndë çdo perspektive për një Serbi demokratike si anëtare e ardhme e bllokut.
Serbia hapi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian nën derjtimin e presidentit Aleksandar Vuçiç, por opozita akuzon bllokun se po mbyll një sy ndaj mangësive demokratike të vendit në këmbim të qëndrueshmërisë në rajonin e Ballkanit.
Hapja e bisedimeve në vitin 2014, pasoi një marrëveshje të Serbisë me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve, e cila nuk u zbatua kurrë në tërësi.