Shtyhet përsëri votimi i Këshillit të Sigurimit për rezolutën për Gazën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shtyu përsëri votimin për një projekt-rezolutë për luftën mes Izraelit dhe Hamasit, thanë të enjten burime diplomatike.

Shtyrja për të premten erdhi edhe pse Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë kundërshtuar një sërë propozimesh gjatë hartimit të rezolutës, lanë të kuptohet se mund ta mbështesin atë në formën aktuale.

Projekt-propozimi i fundit bën thirrje për "hapa urgjente për të lejuar menjëherë qasjen humanitare të sigurt dhe pa pengesa, si dhe për krijimin e kushteve për një ndërprerje të qëndrueshme të luftimeve", por nuk parashikon një përfundim të menjëhershëm të tyre.

Ambasadorja amrikane në OKB Linda Thomas-Greenfield u tha gazetarëve se "nëse rezoluta hidhet për votim siç është, atëherë mund ta mbështesim”. Ajo mohoi që projekt-rezoluta të ishte dobësuar.

“Projekt-rezoluta është shumë e fortë dhe mbështetet plotësisht nga grupi i vendeve arabe”, tha ajo.

Lexoni edhe këtë Rezoluta në OKB për armëpushim humanitar në Gazë shtyhet përsëri


Ecejaket diplomatike në Kombet e Bashkuara në Manhattan, që bënë që votimi të shtyhet disa herë këtë javë, vjen ndërsa kushtet në Gazë janë përkeqësuar dhe numri i viktimave është rritur.

"Mesa duket SHBA ka përfituar maksimalisht nga dëshira e anëtarëve të tjerë të Këshillit për të shmangur një veto. Por varianti i fundit duket shumë më i dobët," tha analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Richard Gowan.

Lexoni edhe këtë OKB: Më shumë se 1 ndër 4 vetë në Gazë vuajnë nga uria për shkak të luftës

Projekt-rezoluta që është ndryshuar në disa drejtime kyçe për të siguruar kompromis, kërkon nga të gjitha palët që "të lejojnë dhe lehtësojnë përdorimin e të gjitha rrugëve për në dhe në të gjithë Rripin e Gazës, përfshirë kalimet kufitare... për ndihmën humanitare."

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit prej 15 anëtarësh po mundohen prej ditësh të gjejnë gjuhën e përbashkët për rezolutën.