Në Tiranë, Kuvendi autorizoi sot Prokurorinë e Posaçme për arrestimin e deputetit Sali Berisha, person nën hetim për çështjen e Klubit Sportiv Partizani.
Ky hap i ri u hodh, pasi ai nuk respektoi masën e mëparshme për detyrim paraqitje, duke e quajtur atë si antikushtetuese. Autorizimi i Kuvendit u përcoll menjëherë në SPAK, ku prokurorët pritet të vendosin për masën e re të sigurisë, që do t’i kërkojnë Gjykatës së Posaçme për zotin Berisha.
Your browser doesn’t support HTML5
Në seancën e sotme plenare kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e ftoi deputetin Sali Berisha të merrte fjalën për të dhënë shpjegimet e veta mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e tij, por ai nuk pranoi, ndërsa kërkonte që punonjësit e shërbimit të largoheshin nga salla.
Atëherë zonja Nikolla nisi procesin e votimit, ndërsa një grup deputetësh të opozitës protestuan edhe sot me përmbysje karrigesh dhe ndezje flakadanësh.
Kuvendi miratoi sot me 75 vota pro kërkesën e Prokurorisë së Posaçme mbi autorizimin për arrestimin e deputetit Sali Berisha përmes zëvendësimit të masës së sigurimit.
Ky vendim mësohet se iu dërgua menjëherë Prokurorisë së Posaçme. Pas shqyrtimit në Këshillin e Rregullores, Imunitetit dhe Mandateve, për këtë kërkesë u paraqitën dy raporte në Kuvend; ai i shumicës së deputetëve të këshillit dhe raporti i deputetit Enkelejd Alibeaj të Partisë Demokratike.
Të dy raportet janë pro dhënies së autorizimit për arrestim, dhe iu shpërndanë deputetëve, dhe sipas procedurës ato nuk janë temë debati në seancë plenare.
Qëndrimi i zotit Alibeaj u pasua nga një deklaratë e Partisë Demokratike, ku theksohet se “PD mbetet e vendosur në mbështetjen e SPAK-ut dhe heqjen e imunitetit të çdo personi të kërkuar nga drejtësia, si një standart i vendosur, që do të ndiqet gjithmonë nga kjo parti”.
PD deklaroi se “mosfunksionimi normal i seancave parlamentare e pamundësoi sot pjesëmarrjen dhe votimin pro heqjes së imunitetit për deputetin Sali Berisha”.
Ndonëse më herët zoti Berisha ka thënë se do ta zbatonte vendimin e Kuvendit, ai e cilësoi edhe vendimin e sotëm si një akt të paligjshëm dhe antikushtetues, si një sulm politik, që kryeministri Rama ka ndërmarrë ndaj tij dhe opozitës.
Ai ka thënë se si masat e para edhe ky hap i dytë i Prokurorisë së Posaçme ishte në vazhdim të masave të mëparshme, që ai i quan si antikushtetuese.
Në sheshin para sallës plenare të Kuvendit u mbajt një tubim i përkrahësve të zotit Berisha, ku ai sërish foli mbi antikushtetutshmërinë e masave ndaj tij, mbi korrupsionin e qeverisë Rama dhe arrogancën e shumicës socialiste.
“Ata, në një përpjekje fund e krye antikushtetuese e antiligjore, në një përpjekje të bazuar në shpifje, trillime, manipulimin e mijëra dokumentave zyrtare, mendojnë se duke vepruar në këtë mënyrë si sot, do të mund të bien në qetësi”, tha zoti Berisha në tubim.
Gjykata Kushtetuese vendosi një ditë më parë të mos kalojë për shqyrtim në seancën e vet plenare kërkesën e një grupi deputetësh lidhur me masat e sigurisë ndaj zotit Berisha, si dhe interpretim të nenit të Kushtetutës, ku flitet për arrestimin e deputetit.
Gjykata tha se kërkesa nuk ishte formalisht e rregullt, se grupi i deputetëve nuk legjitimohej për të vënë në lëvizje gjykatën në çështje si konflikti i kompetencave dhe se pretendimet e kërkuesit dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre.
Vendimi i Kuvendit, që iu dërgua po sot Prokurorisë së Posaçme, i hap rrugën prokurorëve që t’i kërkojnë Gjykatës së Posaçme një masë të re sigurie për zotin Berisha, e cili nuk plotësoi masën e mëparshme detyrim paraqitje para oficerit të policisë gjyqësore.
Ish kryeministri Berisha është person në hetim në çështjen e procedurave të privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, ku dyshohet se ka favorizuar me akte te ndryshme dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, i cili u mbush më pas me një grup pallatesh.