Lufta mes Izraelit dhe Hamasit po e dëmton ekonominë e Bregut Perëndimor. Punonjësit e Autoritetit Palestinez nuk janë paguar rregullisht prej disa javësh ndërsa Izraeli ka revokuar lejet e punës për palestinezët që punojnë në Izrael. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Wilkins, ishte në Ramallah të Bregut Perëndimor dhe bisedoi me tregtarë, bizneset e të cilëve kanë ngecur në vend, ndërsa analistët thonë se kjo situatë mund të çojë në trazira civile.
Në një nga zonat industriale të Ramallahut, Abu Muhammed Yacoub, i cili prodhon grila për dritare dhe porta hekuri, thotë se, që nga fillimi i luftës, klientët kanë më pak para dhe çeqet e porositësve zakonisht kthehen mbrapsht. Ai thotë se furnizuesit e tij i kanë rritur çmimet jashtë mase.
“Askush nuk mund të shkojë në Izrael për të sjellë furnizime, sepse janë anuluar lejet e udhëtimit. Kjo është arsyeja pse produktet dhe lëndët e para janë më të shtrenjta. Ata që kanë furnizime të para luftës, po i shesin me çmime më të larta”.
Lejet për të punuar në Izrael janë shfuqizuar gjithashtu.
Sipas ministrisë palestineze të ekonomisë, Izraeli ka anuluar lejet e udhëtimit që nga 7 tetori për rreth 130,000 palestinezë, që më parë kanë punuar ose kanë bërë biznes në Izrael, duke e bërë të vështirë, nëse jo të pamundur për ta që të fitojnë jetesën.
Politikanët izraelitë kanë ngritur shqetësimet e sigurisë si arsyen kryesore për hyrjen e palestinezëve në territorin izraelit. Por problemet ekonomike të Bregut Perëndimor si rezultat i luftës nuk përfundojnë këtu.
Për shkak se Bregu Perëndimor nuk kontrollon kufijtë e vet, Izraeli i mbledh taksat e importit për të. Përveç kontrolleve shtesë të automjeteve që nga tetori, Autoriteti Palestinez, që administron Bregun Perëndimor, ka refuzuar të pranojë pagesat e taksave në shenjë proteste pasi Izraeli kërkoi të ndalonte disa prej tyre për shkak të luftës në Gaza.
Që nga ajo kohë, Autoriteti Palestinez nuk ka qenë në gjendje të paguajë plotësisht punonjësit si Muathe El-Barghouti, i cili punon në një departament kundër ndërtimit të vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor.
“Sigurisht që jemi të prekur nga situata ekonomike, por duhet të përballemi me kushtet e vendosura nga pushtuesit. Izraelitët thonë se është për të shmangur dhënien e pagave për familjet e terroristëve. Por kjo është një politikë izraelite që ka vënë në shënjestër çdo palestinez”.
Ai thotë se në tre muajt e fundit ka marrë vetëm rreth 17% të pagës së tij të zakonshme. Shtimi i pikave izraelite të kontrollit po shkakton gjithashtu probleme.
“Ndikimi i postblloqeve izraelite [të ngritura që nga tetori] është domethënës. Do të thotë se produktet bujqësore që duhet të transportohen kalben, dëmtohen dhe vonohen... Çdo gjë kërkon më shumë kohë, naftë dhe shpenzime transporti, duke i bërë produktet jofitimprurëse për palestinezët”, thotë për Zërin e Amerikës analisti Ismat Mansour.
Profesori i ekonomisë në Universitetin e Tel Avivit, Itai Ater, thotë për Zërin e Amerikës se Izraeli ka të ngjarë që të lejojë përfundimisht kthimin e punonjësve palestinezë.
“Po flitet që kjo të bëhet gradualisht, për mosha të ndryshme dhe më shumë kontrolle sigurie. Nuk jam i sigurt se kjo po bëhet me ritmin e duhur, por mendoj se do të ndodhë. Sa shpejt? Le të shohim”.
Analistët politikë druhen se nëse nuk bëhet diçka së shpejti, për t’u dhënë fund masave shtrënguese në Bregun Perëndimor, kjo mund të shkaktojë trazira civile dhe më shumë probleme sigurie për Izraelin.