Bashkimi Evropian tha të premten se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi është e detyrueshme për të dyja palët.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano u shpreh përmes një deklarate se “marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane”.
Komentet e zëdhënësit të BE-së pasojnë reagimin e qeverisë së Serbisë pas daljes së deklaratës së përbashkët të takimit të nivelit të lartë të BE-së me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.
Zyra e Kryeministres së Serbisë Ana Bënabiç, shprehu rezerva për deklaratën e përbashkët duke e cilësuar atë një deklaratë politike që nuk është ligjërisht e detyrueshme.
"Marrëveshja konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshihet njohja de facto apo de jure e Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministres së Serbisë, duke theksuar më tej se “pajtimi me deklaratën nuk përfshin pajtimin për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së, e as të ashtuquajturën tërësi tokësore të Kosovës”.
Në deklaratën përfundimtare të takimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor të mërkurën kërkohet normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, bazuar në marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit, e cila kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve, si dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës.
Lexoni edhe këtë O’Brien: Presim nga qeveria e re në Serbi të respektojë marrëveshjet me KosovënPo ashtu marrëveshja kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.
Të martën Këshilli i ministrave të Bashkimi Evropian miratoi përfundimet në të cilat u kërkohet Kosovës dhe Serbisë zbatimi i marrëveshjes dhe përfshirja e saj në kuadrin negociues të Serbisë për anëtarësim në bllok dhe të hapave të Kosovës drejt integrimeve.