Në Shtetet e Bashkuara, Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane votoi të mërkurën me një shumicë të ngushtë për t’i hapur rrugën procesit që do të përcaktojë nëse ka baza për të ngritur akuza për shkarkimin e Presidentit Joe Biden për përfshirje të mundshme në marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij. Shtëpia e Bardhë mohon që presidenti të ketë kryer ndonjë shkelje.
Votimi për të përcaktuar nëse ka baza për të ngritur akuza ndaj presidentit Joe Biden në Dhomën e Përfaqësuesve përfundoi me 221 vota pro dhe 212 kundër.
Republikanët thanë se votimi shënoi një hap të rëndësishëm përpara në hetimin për përfshirjen ose jo të presidentit Biden në marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij, Hunter.
“Është një histori e njohur: Një politikan që ndërmerr veprime nga të cilat më pas përfiton financiarisht familja e tij dhe më pas ka një përpjekje për ta fshehur një gjë që të tillë", tha Kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan.
Votimi i së mërkurës u jep republikanëve më shumë autoritet për të siguruar qasje në dokumente dhe prova për hetimin.
“Është shumë e qartë që Shtëpia e Bardhë ka penguar hetimin tonë. Mendoj se mesazhi ynë sot është shumë i qartë. Ata duhet të bashkëpunojnë”, tha Kryetari i Komisionit të Mbikqyrjes, James Comer.
Por Shtëpia e Bardhë tha se i ka përmbushur kërkesat e republikanëve.
“Ata kanë marrë 100,000 faqe dokumente. Kanë intervistuar dëshmitarë për 40 orë. Dokumentet dhe dëshmitarët që ata kërkuan, i hodhën poshtë akuzat e tyre të rreme”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Hunter Biden refuzoi kërkesën e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve për të dëshmuar me dyer të mbyllura të mërkurën, duke thënë se do të dëshmonte vetëm publikisht dhe se nuk kishte përfituar kurrë nga lidhjet politike të babait të tij.
“Në kulmin e krizës së varësisë nga droga, u tregova jashtëzakonisht i papërgjegjshëm me financat e mia. Por të sugjerosh se kjo përbën bazë për ngritje akuzash ndaj presidentit është përtej absurdit. Është e paturpshme. Nuk ka asnjë provë që të mbështesë pretendimet se babai im ishte i përfshirë financiarisht në biznesin tim”, tha ai.
Një sondazh i fundit tregon se 44 për qind e amerikanëve është në favor të një hetimi të tillë - ndërsa 40 për qind janë kundër tij. Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve thanë se votimi bëhej për arsye politike përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
“Shumica republikane do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj në shërbim të rizgjedhjes së (ish-presidentit) Donald Trump. Të gjithë e dimë se ai është pas këtij procesi”, tha ligjvënësi Robert Garcia.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson mund të hezitojë ta çojë më tej procesin, me votimin për ngritjen e akuzave zyrtare ndaj presidentit Biden. Republikanët kanë vetëm një epërsi të lehtë dhe në një cikël zgjedhor, një përpjekje e tillë për shkarkimin e presidentit do të përbënte një rrezik politik për disa republikanë në zona të ndara politikisht.