Netanyahu: Ne do të vazhdojmë deri në fitore

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u tha ushtarëve në Gazë të mërkurën përmes lidhjeve me radio se ata do të vazhdojnë ofensivën derisa të arrihet fitorja.

Izraeli njoftoi të mërkurën humbjet më të rënda në luftën gati dy mujore pas një prite në rrënojat e qytetit të Gazës. Izraeli gjithashtu po përballet me izolim diplomatik në rritje ndërsa shtohen vdekjet e civilëve dhe përkeqësohet katastrofa humanitare.

Izraeli njoftoi se 10 ushtarë u vranë në 24 orët e fundit, përfshirë një kolonel që komandonte një bazë sulmuese dhe një nënkolonel që komandonte një regjiment. Kjo është humbja më e rëndë njëditore që nga 31 tetori kur u vranë 15 ushtarë izraelitë.

Lexoni edhe këtë Rritet shqetësimi për gjendjen në Gazë, Presidenti Biden kritikon Netanyahun


Izraeli gëzonte përkrahje globale kur filloi operacionin ushtarak për të asgjësuar grupin militant palestinez Hamas që kontrollon Gazën pasi luftëtarët e saj kryen një sulm terrorist në pjesën jugore të Izraelit. Gjatë atij sulmi Hamasi vrau 1200 izraelitë, kryesisht civilë dhe mori 240 pengje.

Që atëherë, Izraeli e ka rrethuar territorin e Gazës dhe e ka shkatërruar një pjesë të madhe të saj. Ministria e shëndetësisë e Gazës, që kontrollohet nga Hamasi, tha të mërkurën se të paktën 18,608 njerëz janë vrarë dhe 50,594 janë plagosur në sulmet izraelite në Gazë që nga 7 tetori. Mijëra të tjerë dyshohet se janë groposur nën rrënoja ose kanë humbur jetën pasi kanë qenë në zona ku ambulancat nuk kanë mundësi të shkojnë.


Ushtria izraelite publikoi të mërkurën pamje filmike që sipas saj tregojnë beteja të ashpra shtëpi më shtëpi me militantët e Hamasit në lagjen Shejaiya të qytetit të Gazës.

Pamje tregojnë se si pavarësisht epërsisë së Izraelit në ajër, me tanke dhe me artileri, rezistenca palestineze mbetet vdekjeprurëse.

Luftimet janë intensifikuar mes rrënojave në pjesën veriore të Rripit të Gazës, ku Izraeli kishte pretenduar më parë se objektivat e tij ushtarake kryesisht ishin përmbushur.

Ministri i Jashtëm i Izraelit tha të mërkurën se vendi do të vazhdonte luftë kundër Hamasit me ose pa mbështetjen ndërkombëtare.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, planifikon të qëndrojë në Izrael të enjten dhe të premten për t'u takuar me Kryeministrin Benjamin Netanyahu ndërsa vazhdojnë përpjekjet amerikane për t'i bërë trysni Izraelit që të anulojë atë që Presidenti Joe Biden e ka quajtur bombardimin “pa dallim” të Gazës.